E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK shpall fitoren në Gjilan

Ndonëse KQZ-ja ende nuk ka marrë ende vendim rreth rezultatit të balotazhit për kryetar të Gjilanit, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka shpallur fitoren e kandidatit të saj Qemajl Mustafa për Gjilan.

Në një konferencë për media të dielën, zëdhënësi i PDK-së Blerand Stavileci tha se kanë qenë të bindur për fitoren e Mustafës para se të shkohet në rivotim, por kanë respektuar vendimet e KQZ-së dhe KZAP-it.

“Ju e keni parë që procesi ka qenë i rregullt, korrekt, transparent në mbështetje të plotë nga të gjithë. Në atë ka besuar edhe Partia Demokratike e Kosovës për këtë edhe kur folëm jo vetëm për Gjilanin, por edhe për komunat të tjera, ne kemi besuar, ne kemi qenë të bindur në fitoren tonë, mirëpo megjithatë kemi respektuar vendimet e KQZ-së. Kjo gjë vlen për të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor, por edhe me çështjet tjera dhe Partia Demokratike e Kosovës gjithmonë do të japë sinjale të qarta lidhur me këtë ne do t’i respektojmë vendimet e institucioneve të pavarura”, tha Stavileci.

Për më tepër, Stavileci tha se fitorja e PDK-së në shumicën e komunave është dëshmi e përkrahjes së madhe që gëzon ky subjekt politik në vend, ndërsa ka shprehur bindjen edhe për fitore në Lipjan dhe Prizren ku do të shkohet në përsëritje të zgjedhjeve të raundit të dytë, më 31 janar.

“Partia Demokratike e Kosovës dhe fitoret e saj si në Gjilan, ashtu edhe në komuna tjera, fitoret e shumta të njëpasnjëshme komunë pas komune dëshmojnë edhe njëherë se Partia Demokratike e Kosovës është partia që gëzon përkrahjen e qytetarëve të Kosovës”, ka theksuar ai

I pyetur se a do të ndodhë riformatizimi i qeverisë para datës 31 janar kur do të mbahet përsëritja e votimeve për Prizren dhe Lipjan, zëdhënësi i PDK-së tha se ky subjekt politik mbështet qëndrimin e kryeministrit Hashim Thaçi, në kompetencën e të cilit është të vendosë në lidhje me këtë çështje.

“Ne e mbështesim qëndrimin të cilin e ka dhënë kryeministri i Republikës së Kosovës z. Thaçi që njëherësh është kryetari i partisë sonë dhe jo vetëm këtë por edhe çdo nismë të iniciativë e kryeministrit e cila gjithnjë është në dobi dhe në funksion të interesit shtetëror dhe të interesit qytetar Partia Demokratike e Kosovës do ta mbështesë, pastaj për format dhe mënyrat e realizimit qoftë në aspektin sasior, qoftë në aspektin cilësor, qoftë në atë përmbajtësor i takon kryeministrit, është në autoritetin dhe kompetencat e tij që të vendosë për këtë çështje”, ka thënë Stavileci./kosovapress/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›