E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi për Gjilanin, të hënën

Ndonëse ishte pritur që sot Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) të marrë vendimin për rezultatin e raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të Gjilanit, një gjë e tillë nuk ka ndodhur për shkak të mungesës së anëtarëve nga radhët e PDK-së dhe të minoriteteve. Për mungesën e tyre në takim Betim Gjoshi, anëtar i KQZ-së nga PDK-ja, e ka fajësuar Komisionin Qendror Zgjedhor i cili sipas tij e ka dërguar njoftimin se takimi do të mbahej në ora 16.00. KQZ dje u ka dërguar mediave njoftimin se takimi i radhës mbahet në ora 14.00.

KQZ mbrëmë e ka shtyrë vendimin e saj për miratim të rezultateve përfundimtare nga QNR-ja, derisa të bëhej numërimi edhe i votave me kusht që pastaj gjatë ditës së sotshme të dalin me rezultatet përfundimtare dhe miratimin e tyre, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur edhe pas një orë pritjesh për shkak të mungesës së pesë anëtarëve të KQZ-së.

Kjo e ka detyruar kryetaren e KQZ-së Nesrin Lushta, që për mungesë të anëtarëve të PDK-së dhe nga radhët e minoriteteve, të shtyjë takimin e për nesër, në ora 10.00.

“Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë të informuar për takimin e sotshëm i cili ka qenë i caktuar për në ora 3, mirëpo në fillim kemi qenë gjashtë tash jemi shtatë anëtar të cilët janë të pranishëm të tjetër nuk janë të pranishëm. Mbledhja shtyhet për nesër në ora 10:00. Janë të informuar, unë nuk kamë informata, informata shtesë. Mungojnë pesë anëtarë. Ju faleminderit shumë”, tha Lushta, duke mos dhënë detaje të tjera.

Publikimi i rezultateve pritej të bëhej pasi mbrëmë vonë ka përfunduar numërimi i votave me kusht, ku nga gjithsej 425 vota, 239 janë në favor të kandidatit të PDK-së Qemajl Mustafa, 178 për kandidatin e LDK-së Fatmir Rexhepi dhe 8 vota janë shpallur të pavlefshme.

Betim Gjoshi, anëtar i KQZ-së nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, për Kosovapress, mungesën e tij në këtë mbledhje e ka arsyetuar me faktin që në njoftimin e KQZ-së për mbledhjen e sotme ka qenë ora 16:00 dhe jo 14:00.

“Njoftimin e kemi pasur për në ora 16 dhe për këtë jemi vonuar. Kur mbërritëm në KQZ, tanimë ishte marrë vendimi për shtyrjen e mbledhjes për nesër. Nuk ka ndonjë arsye tjetër. Nesër në 10:00 ne do të jemi aty, sepse kjo është në favor tonin”, tha ai.

Pavarësisht përpjekjeve për të kontaktuar edhe anëtarët e KQZ-së nga radhët e minoriteteve një gjë e tillë ishte e pamundur pasi telefonat e tyre mobil ishin të shkyçur nga rrjeti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›