AAK me kushtin për postin e kryeministrit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), shprehet e gatshme të marrë pjesën e përgjegjësisë së vet nëse hynë në qeveri apo nëse mbetet në opozitë.
Kështu u shpreh nënkryetari i saj, Ahmet Isufi, duke shtuar se po presin certifikimin e rezultateve dhe ftesën nga partia fituese për bisedime rreth krijimit të koalicionit.
Megjithëkëtë zyrtarë të AAK-së thonë se do të hyjnë në qeveri vetëm nëse udhëheqin me të.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila sipas rezultateve finale të KQZ-së, do të ketë 12 vende në përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës, sot tha se është e gatshme që të jetë edhe në qeveri edhe në opozitë.
Nënkryetari i saj, Ahmet Isufi, nuk shprehu ndonjë qëndrim të prerë, kundër koalicionit me PDK-në. Ai tha se Kosovës i duhet një qeveri stabile e cila mund ta qojë mandatin deri në fund. Por a është AAK-ja faktori që krijon stabilitet qeverisës?
E jozyrtarisht, zyrtarët e AAK thonë se do të hyjnë në qeveri vetëm nëse marrin postin e kryeministrit. Por sido që të jetë, AAK-ja po pret certifikimin e rezultateve dhe ftesën e PDK-së për të nisur bisedimet për koalicionin.
Se a do ta plotësoj këtë kusht PDK-ja dhe kushtin tjetër të AKR-së që Bexhet Pacolli të jetë president, mbetet të shihet gjatë bisedimeve për formimin e koalicionit qeverisë.
Jo zyrtarisht këto bisedime po zhvillohen ka thënë për RTK-në, anëtari i kryesisë së PDK-së, Memli Krasniqi, i cili ka shtuar se në momentin e marrjes së mandatit do të fillojnë bisedat formale me partnerët potencialë për formimin e Qeverisë së re.
Sipas tij këto biseda do të përfundojnë shumë shpejt. Partnerë potencial për PDK-në mbeten AAK, AKR dhe pakicat pasi LDK-ja ka bërë të qartë se nuk do të hyjnë në asnjë mënyrë në koalicion me PDK-në gjë të cilën e ka shprehur edhe Lëvizja Vetëvendosje. /rtk/