E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apostoli:Të largohet sistemi i njëshave në politikë

19/10/2004  Në një intervistë për "Metropol" kandidati për kryetar të Partisë Socialdemokrate, Gaqo Apostoli, ka theksuar se në procesin konkurrues mungojnë kandidaturat reale në bazë. Gjithashtu, ai ngriti shqetësimin se gjatë takimeve Gjinushi ka përdorur postin e kryetarit për t'iu kundërpërgjigjur deklaratave të tija në konferenca, ndërsa atij nuk i është dhënë mundësia e argumentimit apo e replikës. Apostoli ka kërkuar që socialdemokratët të heqin dorë nga mentaliteti i servilizmit ndaj lidershipit dhe të shprehin qëndrimin e tyre për çështje të ndryshme.

Si po vijojnë konferencat e PSD-së nëpër rrethe?

Deri më sot janë zhvilluar 25 konferenca të degëve. Konferencat në degët më të rëndësishme kanë marrë pjesë jo më shumë se 45 delegatë, por ka pasur dhe raste kur pjesëmarrja ka shkuar deri në 100 e ndoshta më tepër. Në Fier kanë qenë 150 delegatë. Por gjëja më e rëndësishme është se parametrat e demokracisë dhe të solidaritetit nuk kanë qenë në nivelin e mjaftueshëm. Kam parasysh këtu që, në 25 konferenca vetëm tre janë zhvilluar me kandidatura konkurruese dhe në përgjithësi debati politik ka lënë për të dëshiruar. E them këtë për arsye se kanë vazhduar termat e përgjithshëm të një solidariteti fals, të glorifikimit të fitoreve dhe arritjeve të Partisë Socialdemokrate, gjë që nuk premton atë rritje elektorale që duhet të realizojë PSD-ja në këto kushte të veçanta të demokracisë dhe të pluralizmit. Unë them se ka patur tentativa për të krijuar një frymë të eliminimit dhe konkurrimit të alternativave në bazë në mënyrës që kjo gjë të reflektojë edhe në qendër. Në qoftë se tashmë është shpallur kandidatura ime përballë kryetarit aktual të PSD-së, atëherë për ta sfumuar këtë rivalitet në qendër krijohet e kundërta në bazë për të eliminuar kandidimin alterantiv. Kjo bëhet me preteksin, që konkurrimi sjell përçarje të partisë. Një gjë e tillë përbën një absurditet të madh. Në demokraci, konkurrimi i mendimit të lirë, i alternativave, i ideve dhe i njerëzve që mbartin këto ide është baza dhe shpirti i demokracisë në jetën e brendshme të partisë. Ka mjaft reminishenca edhe të politikës së derisotme shqiptare, por dhe reminishenca të së kaluarës. Në ndonjë rast, unë kam thënë se, kur shfaqet portreti i udhëheqësit, siç ishte rasti në Shkodër, ulet mjaft vlera e emancipimit të PSD-së, gjë që nuk duhet të ndodhte. Këto dallime politike në 12 konferencat e ardhshme do të dalin më në pah. Nuk po i quaj defekte të politikës, por një zhvillim të ri politik të PSD-së, ku vendosja e konkurrimit në nivel qendror të kthehet pas 13 vjetësh dhe do të sjellë një forcim të partisë, konsolidim të saj dhe vendosjen e parametrave të demokracisë dhe solidaritetit real dhe jo atij fals, si nëpërmjet thirrjeve "rroftë kryetari" apo "jetë të gjatë" etj. Këto i quaj si të kaluara, koha dhe njerëzit qeshin me këto gjëra. Socialdemokratët besoj se kanë mirëkuptuar këtë gjë, duke injoruar këto fakte. Konkurrimi pa kandidatura alternative janë mënyra e personalizimit të partisë, sepse sot ka shfaqje të personalizimit, klanizimit të partisë si në nivel lokal dhe në nivel qendror. Jetojmë në një kohë të re të demokracisë dhe pluralizimit dhe nuk do të ketë më dy parti që të drejtojnë të vetme politikat qeverisëse. Jetojmë në një kohë të re, kur pas përmbysjes së sistemit të njëshit në vitet '90-'91 tani po shkërmoqet edhe sistemi i njëshave në politikë dhe qeverisje. Koalicionet tashmë do të jenë reale dhe jo fiktive dhe në këtë politikë, PSD-ja duhet të futet me dyfishin e forcës me një mbidyfishim elektoral të saj.

Mendoni se do të ketë konkurrim të ndershëm mes jush dhe kreut aktual të PSD-së, Gjinushit?

Unë kam kërkuar konkurrim të ndershëm në pozita sa më të barabarta. Por kjo nuk ekziston për arsye se, në qoftë se e drejta e fjalës nuk pengohet, ai është kryetari i partisë dhe ka privilegjin që të flasë fjalën e fundit, duke komentuar dhe fjalët e mia, mua nuk më jepet e drejta të komentoj fjalët e tij, por qëndrimin mund ta jap në një konferencë pasardhëse. Shfaqet një lloj përkrahjeje servile e atyre që e rrethojnë kryetarin, ndonëse janë dhe shokët e mi. Ne jemi dy shokë që konkurrojmë përballë njëri-tjetrit, secili ka përvojën, por duhen dhe energjitë e tij politike-organizative. E gjithë politika shqiptare si dhe socialdemokratët kanë mbaruar fazën e parë të pluralizmit, duke filluar një mision të ri të politikës, ajo e integrimit evropian. Kjo politikë solli vetëm hapje të këtyre negociatave po nuk po di që t'i mbyllë, duke u futur gjithmonë dhe më shumë në një rreth vicioz dhe që nuk po gjenë energjitë për të dalë. Këto energji duhet të vijnë nga jashtë me anë të figurave të spikatura të Shoqërisë Civile, e cila duhet të ndërhyjë sot, pasi politika ka dhënë sinjalin SOS. Në këtë kuptim, unë kam propozuar një lëvizje në PSD-sw, e cila do të jetë dhe baza e platformës time. Lëvizje për ridimensionim e PSD-së në kuptimin organizativ, politik dhe programor për të kaluar në politika të mëdha të zhvillimit politik, ekonomik dhe social të vendit. Nuk mund të ecet me minipolitika, me kulisa emërimesh që mblidhen në dhoma të mbyllura dhe jo në atë që quhen tribuna politike si takimet në forumet në Kryesinë e partisë. Në të gjitha strukturat drejtuese, PSD-ja duhet të shfaqet nëpërmjet një debati të lirë, me ide të reja dhe të bëhet seleksioni i politikës së vjetër. Duke iu rikthyer asaj që a është një garë e ndershme?, them se ka një tendencë për të qenë e ndershme, pasi ka pabarazi në këtë garë dhe kohët e fundit kanë kërkuar që të më vihen në dispozicion listat e delegatëve për në kongres të vënë kështu një urë komunikimi mes meje dhe tyre. Ajo që mund të quhet skandal, janë të gjitha konferencat e nëndegëve të minibashkive të Tiranës, që zhvillohen me një pjesëmarrje shpesh dhe të paidentifikuar se çfarë përfaqësojnë. Nuk ka analizë, nuk ka mendim politik, nuk ka kandidim alternativ, votimi bëhet i hapur, partia është institucion publik, i cili prodhon politikë për shoqërinë dhe i jepet në menazhim të përkohshëm një lidershipi të përzgjedhur në mënyrë demokratike. Çfarë po ndodh në PSD e degës Tiranë është kulmi i personalizimit të partisë, që është bërë duke u zhvilluar në sinkron, gjykoj me kryetarin aktual të PSD-së.

Si i vlerësoni negociatat e deritanishme me PS-në dhe si i shikoni ju ato në të ardhmen?

Marrëdhëniet me Partinë Socialiste, kuptohet se ato janë të ngrira, pavarësisht nga bashkimi i duarve që bëjnë liderët. Deri më sot ky ishte një bashkim duarsh në mënyrë absurde që imiton besëlidhjen e Lezhës, ndërkohë sot është koha e marrëveshjeve që duhen respektuar dhe jo "show televiziv". Marrëveshjet e derisotme i ka zënë pluhuri dhe vazhdon t'i zërë, ndërsa mbeten demagogji. Sot është koha që marrëveshjet të lidhen në bazë, pasi aty janë më të besueshme. Në bazë e majta është më e pastër sesa kupola. E majta, që po vepron që nga 1997 dhe këtej, është me elementë të së djathtës në qeverisje, pavarësisht se spekulohet me termin e majtë. Gjithçka duhet ridimensionuar, politika, qeverisja, spektri politik gjithashtu. Marrëdhëniet me PS-në kanë ngelur në nivelin e demagogjisë, gjithçka që artikulohet synon kalimin e kohës. Deri sa të arijmë në zgjedhje do ta shikoja të pavolitshme apo të pasigurtë një ndërrim qeverisës në këto kushte pa një pakt të plotë që të garantojë votat në parlament, ku çdo gjë kthehet në aritmetikë.

A do të shikonit si një mundësi bashkëpunimi me Lëvizjen Socialiste për Integrim?

Unë, LSI-në e kam mbështetur si një lëvizje politike, pavarësisht nga kontestimet që mund të kem. Formimi i kësaj partie ka ndikuar në zhvillimin e një pluralizmi modern për arsye se redukton partitë e stërmëdha. Në mënyrë indirekte ka bërë që dhe PSD-ja të ketë më shumë vlerë në qeverisje apo në parlament. LSI ka ndikuar në mënyrë tepër aktive që të mos ketë parti më shumë se 40 për qind, ku koalicionet kthehen në reale. LSI-ja po rrezikon në një farë mënyre dhe PSD-në, kjo pasi është një parti e re, një erë e re. Njerëzit, anëtarësia e thjeshtë, që janë shumë periferikë në politikën e sotme, që e shohin veten të distancuar nga partia, e cila nuk po i mban më afër dhe nuk krijon më kohezion, thonë: "Po iki me këtë partinë e re, ta provoj një herë" dhe kjo gjë ndodh dhe ndodhi me LSI-në. Bashkëpunimi më LSI-në do të shikohet hap pas hapi nga qëndrimi, nga programi, nga interesat që përfaqësn. Qeverisja e sotme ka tradhtuar interesat e së majtës dhe LSI-ja ka një pjesë të kësaj përgjegjësie, pasi ka qenë pjesë e qeverisjes. Sot e majta politike duhet t'i drejtohet me zemër më të hapur të majtës elektorale dhe këtu shoh dhe thelbin e lëvizjes dhe të misionit tim në këto zhvillime politike. Këtu shikoj thelbin e ridimensionimit të PSD-së.

Si e vlerësoni situatën aktuale të PSD-së?

Kam hedhur idenë në konferencat e partisë se nuk mund të drejtojmë vëmendjen dhe analizën gjithmonë me të kaluarën. Sidomos me atë rrjedhje që u bë në 1994 me partinë e Teodor Laços, apo dhe me partinë e kolegut tonë, Paskal Milo, për të cilën ne duhet ta analizojmë, sepse morëm një vendim për të mos u futur në qeverisjen e 2002 e bëmë këtë për shkak të ruajtjes së identitetit të partisë, pasi PS-ja shkeli marrëveshjen e bërë dhe në emër të një morali. Bashkimi i interesit për një post ministror me interesa nepotike në bazë, apo me interesa të tjera të atyre që mund t'i quaj klane, krijoi partinë e Milos. Por, ne duhet të analizojmë atë fakt që kemi lënë mbas dore, anëtarësinë dhe elektoratin e periferisë se bëmë mirë që mbrojtëm moralin dhe identitetin e partisë, por nuk krijuam një moral të ri, sepse përsëri ngeli morali i servilizmit politik nepotik, parazitizmi është ende gjallë në parti. U zëvendësua një moral i vjetëruar me një amoralitet tjetër. Dhe kjo është asfiksi për partinë. Prandaj kam dashur më mirë të punoj në parlament dhe në parti. Prandaj u jam larguar dhe dhe posteve ministërore në vitin 2001 dhe në 2004, ndonëse duhet të bëj karrierë politike, por nuk kam pranuar se nuk e kam ndjerë veten komod në këto lloj qeverisje. Me këtë dua të them se di t'i rezistoj dhe joshjes dhe presionit të politikës. Nuk pajtohem me servilizmin, parazitizmin dhe paaftësinë, që sot gjendet me shumicë në lidershipin e partive dhe në PSD. Kjo nuk do të thotë të hedhësh baltë mbi partinë, por të pastrosh baltën nga partia. Që PSD-ja të rrisë kapacitetin elektoral të shfrytëzojë hapësirat elektorale që ka shkaktuar zhgënjimi nga politika dhe të mbidyfishojë elektoratin e saj. Është koha sot se nesër do të jetë vonë.

Bisedoi Marilda Bejleri

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›