E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI merr drejtimin e Bashkisë së Çorovodës

19/10/2004  Mbi 10.000 banorë të Çorovodës kanë inauguruar dje legalizimin e degës së Lëvizjes Socialiste për Integrim në rrethin e Skraparit. Takimi është përshëndetur nga kryetari i LSI-së, Ilir Meta, kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar, Limoz Dizdari dhe anëtari i Kryesisë, Ndre Legisi. Shpallja e degës ka bërë që dhe kryetari i Bashkisë së Çorovodës të deklarojë bashkimin me këtë lëvizje. Kjo ka bërë që LSI të jetë nga forcat kryesore të cilat drejtojnë komuna dhe bashki në vend. Takimi në Çorovodë është cilësuar si më i madhi për këtë Lëvizje, e cila vetëm dy muaj më parë është legalizuar si parti. Ndërsa është bërë e ditur se shumë shpejt do të përfundojë konstituimi i degëve në të gjithë Shqipërinë.

Qëndrimi

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, u shpreh në miting se asgjë nuk mund ta ndajë atë politikisht dhe shpirtërisht nga populli i Skraparit, të cilin ka nderin ta përfaqësojë prej 12 vjetësh në Parlament. "Ne, kemi qenë dhe jemi socialistë, por nga ata që mendojnë dhe punojnë për njerëzit dhe qytetarët e varfër të këtij vendi dhe jo si ata që tallen me durimin dhe përkushtimin tuaj", tha Meta në fjalën e tij. Ndërsa duke i kthyer përgjigjen Nanos rreth angazhimit të qeverisë me investime në këtë zonë, Meta tha se, "Malet e larta të Skraparit, nuk kanë nevojë për burg, por për rrugë që i lidhin me Përmetin, Korçën e Gramshin, për infrastrukturë që i lidh me të gjithë pjesën tjetër të vendit". Duke kritikuar politika që ndjek qeveria për investimet shqiptare, ai tha se, "prodhimet bujqësore e blegtorale, jo vetëm që nuk kalojnë dot kufijtë, por as nuk munden të mbërrijnë në tregjet e brendshme të vendit, sepse një grup monopolistësh kërkojnë falimentimin e të gjithë fermerëve shqiptarë". Ndërsa anëtari i Kryesisë, Ndre Legisi, u shpreh se jemi për të shpallur LSI-në dhe jo për t'iu përgjigjur atij fishekzjarrit që u nis para disa ditësh nga Poliçani, i cili u shua pa u ndezur mirë në shampanjën e buzukut të Selanikut.

Në emër të pjesëmarrësve në këtë takim, kryetari i LSI-së për Skraparin, Abdyl Braho, u shpreh se jemi të detyruar për të zhvilluar këtë takim themelues të LSI-së jo në një sallë të mbyllur, por në sheshin kryesor të qytetit, pasi nuk ka asnjë sallë që të mbajë mijërat e anëtarëve dhe simpatizantëve të LSI-së në Skrapar. Ai bëri të ditur se në këtë degë deri tani janë anëtarësuar sipas të gjitha procedurave mbi 1200 anëtare dhe shumë të tjerë presin të anëtarësohen. "Skrapari ka qenë, është dhe do të jetë socialist, por këtej e tutje jo më me monopolistët, por me LSI-në, pasi ne kërkojmë një jetë më të mirë, solidaritet dhe dinjitet, të cilin vetëm kjo forcë politike na e garanton", tha Braho.

Nisin pushimet nga puna

Gjatë mitingut të zhvilluar, Meta ka pohuar para elektoratit të tij se nga 120 anëtarë, tashmë PS-ja ka vetëm një numër prej 20 anëtarësh. Ndërsa, sipas burimeve zyrtare brenda degës së PS-së, bëhet e ditur se largimi nga PS-ja i 6 anëtarëve të kryesisë nga 16 që janë, ka bërë që PS-ja të marrë masa shtrënguese. Mësohet se për bindje politike i është dhënë lajmi për largimin nga puna të 4 anëtarëve të Kryesisë, që janë në institucione shtetërore si drejtori i degës së thesarit etj. Pushimin nga puna të anëtarëve të LSI-së e ka ngritur më parë dhe dega e kësaj partie në Durrës. Sipas tyre në një numër të madh, drejtuesit e institucioneve apo dhe punonjësit në administratë janë kërcënuar për shkarkim nga puna, në rast se do të kalojnë nga LSI-ja. Duket se i njëjti fenomen tashmë po vihet re dhe në degën e kësaj lëvizjeje në Skrapar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›