Përfundon ndarja e zonave elektorale
19/10/2004 Komisioni për ndarjen e zonave zgjedhore, përfundoi shqyrtimin e të 100 zonave elektorale. Sipas raportit paraprak, Vlorës i hiqen dy deputetë, ndërsa një i hiqet Beratit. Si kompensim Dibra, Kukësi dhe Korça marrin dhe nga një deputet më shumë, që do të përfaqësojë këto zona në Kuvendin e Shqipërisë. Në mbledhjen e zhvilluar dje, përfaqësuesi i PD-së, Ferdinant Poni, ka kundërshtuar kalimin e fshatit Mollas në zonën 82. Sipas tij, nuk ka asnjë mundësi gjeografike që Mollasi të bashkohet me këtë zonë. Ndaj ai ka kërkuar që Mollas të qëndrojë në zonën 83, ndërsa në zonën 82 të kalojë Voskopi. Në diskutimin për zonat e Beratit, Poni ka kërkuar që në zonën 75 të bashkohet fshati Kozare, Poshnje, Kutalli dhe Cukalat. Sipas burimeve, ndryshimet janë për të mos lejuar lëvizjen me anë të numrit të mbështetësve në ndarjen e hartave zgjedhore, por lëvizje të kufijve në bazë gjeografie. Sipas të dhënave, kalimi i Mollasit në zonën 82 do të sillte një fitore të socialistëve si te zona 82 dhe tek 83, pasi llogaria ishte bërë sipas numrave, kurse pozita gjeografike nuk e lejon një veprim të tillë. Megjithatë ditën e martë komisioni do të mblidhet sërish për të kordinuar të gjitha ankesat dhe vërejtjet e partive politike. Pas koordinimit të të dhënave, raporti me ndarjen e re territoriale do i kalojë Kuvendit. Deri tani socialistët nuk janë përfshirë në debate në komisionin e ndarjeve zonale. Pritet që në diskutimin në Kuvend të kundërshtohet ndarja e re, pasi ajo nuk është bërë sipas listave të votuesve, por sipas listës së atyre që kanë votuar në zgjedhjet e shkuara.