Presidenti grek merr titullin "Qytetar Nderi" në Delvinë
20/10/2004 Komuna e Mesopotamit në Delvinë shpalli "Qytetar Nderi", Presidentin e Greqisë, Konstantinos Stefanopulos dhe Arqipeshkvin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos. Ceremonia e shpalljes u bë gjatë vizitës që Presidenti i Greqisë zhvilloi në fshatin Dhrovjan të kësaj komune, nga ku kanë origjinën paraardhësit e tij. Në fjalën e mbajtur, ai tha se minoritarët janë dy herë grek, pasi ata jetojnë në një vend të rrethuar nga fe të tjera nga ajo kristiane, dhe vazhdojnë të qëndrojnë grek. Dje në Pallatin e Brigadave u organizua ceremonia e përcjelljes së Presidentit grek, Stefanopulos, i cili vizitoi vendin tonë me ftesë të Presidentit të Republikës, Alfred Moisiu. Pas ekzekutimit të himneve kombëtarë të dy vendeve dhe kalimit në revistë truprojes së nderit, të dy Presidentët, ai shqiptar Moisiu dhe grek Stefanopulos, u përshëndetën miqësisht. Ky aktivitet shënoi dhe përfundimin e vizitës zyrtare të Presidentit grek në Tiranë. Vizita e Stefanopulos në Shqipëri ka sjellë komente të ndryshme nga mediat e të dy vendeve. Në shtypin e djeshëm të Greqisë është theksuar se, Kryeministri shqiptar ka mbajtur qëndrime të ndryshme në deklaratat e tij. Sipas gazetës "Tanea", Nano është shprehur se me çështjen çame duhet të merren historianët. Por nga ana tjetër gazetarët kanë vënë re se Nano është shprehur se duhen zhvilluar më tej marrëdhëniet politike si dhe është kërkuar respektimi i marrëveshjes mes kryeministrave për të drejtën e pronësisë. Gazeta "Tanea" ka dalë në mbrojtje të deklaratës së Presidentit të tyre Stefanopulos, për pretendimet që vetë shteti grek i ka harruar ndaj Shqipërisë. Në tri ditët e vizitës në Shqipëri, Presidenti i Greqisë ka sjellë reagime të ndryshme dhe tek analistët dhe mediat në Shqipëri. Deklarata e tij se çështja çame është harruar, është cilësuar një shkelje e traktatit të miqësisë së firmosur në vitin 1996 mes Presidentit të Shqipërisë dhe atij të Greqisë.