E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDS: Berisha, padrino i mafies së tokave



Partia Demokracia Sociale i ka cilësuar mashtrime dhe të pavërteta deklarimet e kryeministrit Sali Berisha, lidhur me verifikimin e titujve të pronësisë së tokave nga një komision kryeministror. Sekretari Politik i PDS-së, Artur Duçkollari, deklaroi dje se kryeministri Berisha dhe qeverisja e tij kanë dështuar gjatë këtyre tre viteve për të zgjidhur çështjen e pronave, duke mos realizuar as kthimin fizik dhe as kompensimin financiar të ish-pronarëve. “Duke ndërruar çdo gjashtë muaj drejtorët e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të pronave, Berisha dëshmon se ai vetë ndodhet në krye të mafies së tokave. Për PDS-në me aksionin antikushtetues të radhës për mosnjohjen dhe tjetërsimin e pronarëve të ligjshëm, ai po vazhdon katrahurën e pronësisë të nisur në vitin 1992”, - tha Duçkollari. Sekretari Politik i PDS-së deklaroi se për shkak të dështimit për këtë çështje, kryeministrit Berisha s’i ka mbetur gjë tjetër veçse të mbajë fjalime demagogjike për t’u hedhur hi syve shqiptarëve dhe shtresës së ish-pronarëve. “Me ndërmarrjen e kësaj manovre të kamufluar elektorale, Berisha pranon dështimin e tij të madh të radhës, atë të zgjidhjes përfundimisht të çështjes së pronësisë dhe po kërkon të kërcënojë hapur mijëra fshatarë, të cilët prej 17 vitesh janë pronarë të ligjshëm të tokave të tyre”, - tha Duçkollari. Ai deklaroi se as qeveria dhe as kryeministri Berisha nuk duhet të luajnë me pronarët legjitimë të tokave dhe me titujt e tyre të pronësisë. “Ndaj ne jemi sot përpara jush, për t’i bërë edhe njëherë thirrje kryeministrit të vendit, z. Sali Berisha, të lërë çdo mjet presioni dhe të mos luajë me pronarët legjitimë dhe me titujt e tyre të pronësisë, por të lërë organet e Drejtësisë për të zbardhur atje ku konstatohen problemet me pronat”, - tha sekretari politik i PDS-së, Artur Duçkollari.

15 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›