Petrit Vasili: “Shtatë pikat që LSI-ja do të
Shaban Sulçe
Prej më shumë se një muaji, Lëvizja Socialiste për Integrim ka shprehur gatishmërinë e saj për të negociuar me ish-aleaten e saj, Partinë Socialiste, rreth një bashkëpunimi të mundshëm. Çështja kryesore e këtyre negociatave, nga e cila do të varet edhe bashkëpunimi midis dy partive kryesore të së majtës, ka të bëjë me Reformën Zgjedhore dhe konkretisht me disa pika konkrete që do të përbëjnë hartimin e Kodit të ri Zgjedhor. Por cilat janë
kushtet e vendosura nga LSI-ja, të cilat sipas saj do të jenë shumë të rëndësishme për procesin zgjedhor, për të shmangur procesin e Dushkut dhe për të garantuar një rezultat të drejtë, dhe të ndershëm në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2009.
Të gjitha këto zbardhen nga sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Petrit Vasili, i cili në një prononcim për gazetën “Albania” thekson se pikat e vendosura nga LSI janë në funksion të qëndrimit të saj konstruktiv dhe koherent për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri.
Administrimi i votës
Sipas sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, Petrit Vasili, një prej pikave kryesore të caktuara për të negociuar me PS-në për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor ka të bëjë me procesin e administrimit të votës, ku synohet pjesëmarrja në këtë proces i të gjitha subjekteve konkurruese. “LSI po kërkon të qartësohet mirë në Kod administrimi i votës dhe pjesëmarrja në të të çdo subjekti konkurrues në zgjedhje. Pra kushdo që konkurron duhet të marrë pjesë në procesin e numërimit të votave. Në këtë frymë, qëndrimi ynë mbetet edhe për ndërtimin dhe përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, - shprehet Vasili.
Nxjerrja e rezultatit
Propozimi tjetër i LSI-së për të diskutuar me Partinë Socialiste për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor ka të bëjë me mënyrën e llogaritjes së votave dhe nxjerrjes së rezultatit. LSI propozon përzgjedhjen e metodës Hare, e cila është pak a shumë një shprehje e sistemit proporcional të korrektuar, dhe që përcakton një rezultat më të saktë të partive, mbi bazën e votave të marra prej tyre. “Përsa i përket mënyrës së llogaritjes së rezultatit zgjedhor, ku siç dihet janë dy formula metoda ‘D’hunt’ dhe metoda ‘Hare’, ne synojmë që në Kod të orientohet drejt metodës ‘Hare’, për arsyen e thjeshtë se i afrohet shumë më tepër rezultatit të realizuar në proporcional nga partitë. Kjo do të korrektonte në një farë mënyre anët negative të sistemit proporcional rajonal, që do të aplikohet në procesin e ardhshëm zgjedhor”, - shpjegon sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili. Sipas tij, korrektimi kombëtar do të ishte i domosdoshëm për të evituar, ndonëse jo plotësisht, efektin “Dushk”, që shkaktohet nga aplikimi i sistemit proporcional rajonal. “Efekti ‘Dushk’, që shkaktohet nga aplikimi i sistemit proporcional rajonal, do të shkaktonte përvetësim të padrejtë të votave të partive të caktuara si dhe mos përfaqësim në parlament të caktuara, ndonëse ato mund të kenë realizuar një përqindje të caktuar në nivel vendi”, - shprehet Vasili. Sipas tij, aplikimi i sistemit proporcional korrektim kombëtar dhe aplikimi i një pragu ku partitë që e kalojnë atë të kenë mundësi të përfaqësohen në parlament është një veprim anti-Dushk që duhet të përbëjnë hartimin e kodi të ri zgjedhor.
Pikat e tjera
Sipas sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, Petrit Vasili, ka edhe mjaft elemente të rëndësishme që duhet të merren parasysh në hartimin e Kodit të ri Zgjedhor. Ndër to ai përmend propozimin e LSI-së për procesin e numërimit të votave, ku synohet zëvendësimi i numërimit manual (me dorë) me atë elektronik (pra numërimi të bëhet me pajisje elektronike). “Kjo do të evitonte manipulimet gjatë procesit të numërimit të votave dhe do të shtonte transparencën për publikun”, - thekson Vasili. Propozimi i fundit i LSI-së është i lidhur me elementët që kanë të bëjnë me hartimin e listave të zgjedhësve dhe dokumentet e identifikimit, të cilat duhet të jenë të njësuara në të gjithë territorin dhe pa gabime, duke eliminuar votimin e një personi disa herë apo për të gjithë familjen.
Kushtet e LSI-së të vendosura ndaj PS-së
1. Pjesëmarrja në procesin e numërimit të votave të çdo subjekti konkurrues
2. KQZ-ja të përbëhet nga përfaqësues të çdo subjekti konkurrues
3. Numërimi i votave të bëhet me metodën “HARE”
4. Aplikimi i sistemit kombëtar të korrektuar do të eliminonte pjesërisht efektin “Dushk”
5. Partitë që kalojnë pragun elektoral kombëtar të kenë mundësinë që të përfaqësohen në parlament
6. Procesi i numërimit të votave të zëvendësohet numërimi manual me numërimin elektronik
7. Hartimi i listave të zgjedhësve dhe dokumente identifikimi të njësuara në të gjithë territorin dhe pa gabime
15 Gusht 2008