E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDSH: "Monstër", konstruksion politik kundër shqiptarëve

SHKUP - PDSH e cilësoi si një konstruksion politik operacionin policor "Monstër" me arrestimin e dhjetëra shqiptarëve që u akuzuan si autorë të vrasjes së pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit.
Deputeti i PDSH-së Orhan Ibrahimi në një konferencë për shtyp reagoi ndaj arrestimeve të fundit.

“Partia Demokratike Shqiptare nga afër i ndjek zhvillimet dhe sjelljen e subjekteve dhe institucioneve përgjegjëse që kanë të bëjnë me arrestimet e shqiptareve lidhur me rastin e vrasjes së pesëfishte në afërsi të Shkupit.
Për ne është shumë me rëndësi që të zbulohen autorët e vërtetë të rastit po ashtu edhe motivi i tyre, mirëpo publikimi dhe prezantimi i aksionit nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme i ngjan një konstruksioni politik. Për Partinë Demokratike Shqiptare forma e zgjedhur për komunikim me publikun nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme është e papranueshme, paragjykuese dhe aspak e besueshme.”, theksoi Ibrahimi.

“Edhe njëherë konstatojmë se jemi pro zbulimit dhe dënimit të autorëve të vrasjeve por do të mundohemi që të parandalojmë çdo tentim për montim të rastit në fjalë, qoftë individual apo kolektiv. Kemi shpresa të mëdha që Bashkësia ndërkombëtare, sidomos OSBE, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara te Amerikës, nga afër do ta vëzhgojnë ketë proces”, vijoi më tej deputeti Ibrahimi.

Ai shtoi se me keqardhje konstatojnë se qëndrimi i BDI-së pas arrestimit të dhjetëra shqiptarëve ishte më i keq dhe më i shëmtuar se ai i Ministrisë së Punëve te Brendshme, pasi BDI dhe mediat që kontrollon ajo, i gjykuan të arrestuarit dhe i shpallën fajtor para kohe.

“U apelojmë gjithë shqiptarëve qe te jene te kujdesshëm dhe gjakftohte dhe mos bëhen preh e konstruksioneve te ndryshme qe po tentohen para samitit të NATO-s në Chikago”, -theksoi deputeti Ibrahimi.

(er.nu/ina/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›