E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli dhe Basha presin presidentin malazez Vujanoviç

TIRANE - Presidenti malazez Filip Vujanoviç është pritur sot në një takim nga kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli si edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Në takimin me kryeparlamentaren Topalli, dy zyrtarët e lartë ndanë të njëjtin vlerësim për nivelin e lartë të marrëdhënieve politike që ekziston midis dy vendeve ndërsa theksuan rëndësinë, për përkthimin e këtyre marrëdhënieve në një bashkëpunim konkret në ekonomi, turizëm, energjetikë, dhe fusha të tjera.

Nga ana e tij Presidenti Vujanovic garantoi mbështetjen e shtetit të tij në bashkëpunimin për thellimin e Lumit të Bunës si dhe sistemimin e Liqenit të Shkodrës, si dy projekte që do të parandalojnë përmbytjet por edhe do të nxisin zhvillimin e turizmit dhe qarkullimit të njerëzve.

Ndërkohë në takim me kryebashkiakun Basha dy bashkëbiseduesit e vunë theksin në bashkëpunimin ekonomik, turistik dhe kulturor mes Tiranës dhe Podgoricës.

Gjithashtu në takim u diskutua edhe në lidhje me projektet e zhvillimit, ku zoti Basha informoi presidentin e Malit të Zi se pas 22 vjetësh, Tirana së shpejti do të ketë planin urbanistik, i cili synon ta bëjë qytet të mundësive të mëdha për investitorët e huaj.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›