PDS:Qeveria po manipulon procesin për kartat

Partia Demokracia Sociale ka denoncuar manipulimin që qeveria po u bën kartave të identitetit. "PDS ka vërejtur se shumë zgjedhës, të cilët u përkasin partive të opozitës, nuk e gjejnë emrin e tyre në listën e dërguar nga ministria e Brendshme, në njësitë e pushtetit vendor. Me një kujdes të veçantë, njerëzit e Berishës po bëjnë gjithçka që këta shtetas të mos kenë mundësi t'u drejtohen kutive të votimit më 28 qershor"-shkruhet në një deklaratë për mediat nga sekretari politik i kësaj partie Artur Duçkallari. Një pikë tjetër abuzive sipas kësaj partie është edhe ajo që ka të bëjë me blerjen e kuponëve nga ana e zyrtarëve demokratë."Nëpërmjet këtij rrjeti korruptiv, PD dhe disa struktura shtetërore po u bëjnë "dhurata" njerëzve, të cilët mendohet se do të japin votën e tyre për Sali Berishën"-theksoi më tej Duçkallari. Partia Demokracia Sociale bën përgjegjëse ministrinë e Brendshme për abuzimet me kartat e identitetit dhe rastet e ndikimit nëpërmjet ofertave financiare mbi votën që zgjedhësit do të hedhin në kutitë e votimit.