E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shfrytëzoni të gjitha rrugët për të paraqitur problemet

05/02/2009  Presidenti Bamir Topi takon ish-të përndjekur nga Malësia e Madhe

Kreu i shtetit shqiptar Bamir Topi ka diskutuar me një përfaqësi të ish-të përndjekurve politikë nga Malësia e Madhe në lidhje me trajtimin dhe pengesat që ndeshin si shtresë shoqërore për sa u përket të drejtave të tyre. Gjatë këtij takimi ish-të përndjekurit kanë bërë me dije mospërmbushjen e kërkesave dhe të të drejtave të tyre për dëmshpërblimin, shkollimin, punësimin, rehabilitimin dhe integrimin e tyre të plotë në shoqërinë bashkëkohore shqiptare, si dhe vlerësimin e merituar historik të kryengritjes antikomuniste të 23-25 janarit 1945 në Malësinë e Madhe. Nga ana e tij Presidenti Topi u shpreh se i ka ndjekur gjithmonë me vëmendje shqetësimet e tyre të përcjella institucionalisht dhe përmes medieve. “Është detyrim jo thjesht i institucionit, por është dhe detyrim moral. Ju jeni një përfaqësi e nderuar e një zone të nderuar, me një shtresë që ka përballuar shumë sfida të hidhura të jetës, shumë vuajtje, një shtresë që ka ditur me shumë fisnikëri të jetë mbështetëse e proceseve demokratike në Shqipëri. Patjetër që jeni tharmi i stimulimit të të gjitha proceseve pozitive që duhet të ketë shoqëria jonë”, - ka deklaruar Presidenti Topi. Sipas njoftimit të zyrës të shtypit, kreu i shtetit u ka sugjeruar përfaqësuesve të ish-të përndjekurve politikë që të shfrytëzojnë të gjitha rrugët dhe mundësitë institucionale e demokratike për të nxjerrë në pah problemet e tyre dhe për t’i zgjidhur ato. Presidenti Topi theksoi “rëndësinë e mbrojtjes dhe evidentimit të vlerave të vërteta historike dhe morale, të ruajtjes së harmonisë shoqërore si dhe nevojën për vlerësim dhe integrim të kësaj shtrese aq shumë të rëndësishme të shoqërisë shqiptare”. Kreu i shtetit Bamir Topi i siguroi përfaqësuesit e ish-të përndjekurve nga Malësia e Madhe se do të vazhdojë të ndjekë me mjaft vëmendje shqetësimet e tyre dhe se do t’i mbështesë gjithmonë institucionalisht në cilësinë e Presidentit të Republikës, duke ushtruar të gjitha kompetencat që i jep Kushtetuta dhe ligjet në fuqi. Kreu i shtetit ka shprehur vazhdimisht angazhimin e tij në mbështetje të shtresës së ish-të përndjekurve politikë. Gjatë takimeve të shpeshta me përfaqësues të kësaj shtrese, ai ka përcjellë vlerësimet maksimale për rolin që kanë luajtur për të mundësuar rrëzimin e diktaturës. Për kreun e shtetit ish-të përndjekurit kanë qenë flamurtar të demokracisë shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›