Parlamentarët e rajonit diskutojnë "Korridorin 8"
Rreth 15 vjet pas ideimit të "Korridorit 8", Parlamenti i Shqipërise, Maqedonisë , Bullgarisë dhe Italisë janë mbledhur së bashku për të lobuar në favor të këtij korridori. Nëpërmjet një deklarate të përbashkët të hartuar në Tiranë, katër shtetet kërkojnë mbështetje dhe ndihmë financiare për përfundimin e këtij aksi shumë të rëndësishëm për të gjithë Evropën Juglindore. Gjatë takimit ndërparlamentar, kryetarja e kuvendit Jozefina Topalli theksoi se ka ardhur koha që të behet apel, që të specifikohet mbështetja financiare për projekte në Kuadrin Financiar aktual të BE-së.Siç dihet ideja e ndërtimit të Korridorit pan-evropian 8, që lidh rajonet e Adriatikut dhe Detit të Zi, dhe që kalon përmes Republikës së Shqipërisë, Republikës së Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë, pjesë e Korridoreve dhe Rajoneve të Transportit Trans-Europian, u hodh në dy Konferencat Ministrore të mbajtura në Kretë më 1994 dhe në Helsinki më 1997. Deklarata, që u nënshkrua në fund të takimit, konsiderohet si një nisëm konkrete e parlamenteve të katër vendeve, për ecurinë e mëtejshme të ndërtimit të "Korridorit 8" .