E Shtunë, 31 Tetor 2026

PE, Rouçek: Shqipëria për 6 muaj nën monitorim

26/03/2012  Rritet presioni ndërkombëtar për realizimin e reformave të integrimit

“PD e PS të rritin bashkëpunimin për axhendën evropiane”

Deri në shtator, vetëm pak ditë para publikimit të raportit të progresit të Komisionit Europian, Shqipëria do jetë nën vëzhgimin e rreptë të ndërkombëtarëve. Lajmi bëhet i ditur nga zëvendëskryetari i grupit të Aleancës Progresiste të Socialistëve dhe Demokratëve europianë, Libor Rouçek. Në një prononcim dhënë dje për “AS”-në Rouçek u shpreh se 6 muajt në vijim do të jenë nën vëzhgim sjelljet e politikës shqiptare jo vetëm për kriteret e kërkuara nga Bashkimi Europian, por dhe për zgjedhjen e Presidentit të Republikës në muajin korrik. “Të dyja forcat e mëdha politike së bashku: Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, tani duhet të intensifikojnë bashkëpunimin e tyre për axhendën europiane. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse ajo që do të ishte thelbësore këtë vit është raporti i progresit të vjeshtës”, – u shpreh diplomati europian. Ndërsa sa i përket mundësisë së marrjes së statusit të vendit kandidat nga Shqipëria në qershor ai theksoi se më e rëndësishme se statusi është që palët të vijojnë bashkëpunimin mes tyre për realizimin e reformave në vend. “Unë personalisht do të doja që të diskutohej për Shqipërinë, por ne, grupi ynë politik i socialistëve e demokratëve, nuk kemi një raportues për Shqipërinë. Më parë e kemi pasur këtë, por tani e ka marrë një grup tjetër. Ne mund të bëjmë presion, por nuk kemi raportues. Por ajo çka është më e rëndësishme për Shqipërinë është që ajo duhet të bëjë ndryshime, të bëjë reforma. Në mënyrë që këto ndryshime të përfshihen në raportin e progresit të Komisionit, që del në tetor”, - tha Rouçek. Pak ditë më parë Jelko Kacin theksoi se krahas raportit të progresit PE-ja do të nxjerrë një raport të ri për Shqipërinë, që do të debatohet dhe miratohet përpara publikimit të raportit të progresit të Këshillit të Europës në tetor.

Reforma ygjedhore

Ekspertët partiakë konsultohen sot me ODIHR-in

Ekspertët zgjedhorë të ODIHR-it do të zhvillojnë paraditen e sotme një tryezë konsultative me përfaqësuesit e grupit të punës të ngritur për reformën zgjedhore. Në qendër të diskutimeve në këtë aktivitet dyditor do të jenë një sërë çështjesh, si riformatimi i KQZ-së dhe teknologjitë që do të përdoren në zgjedhjet e ardhshme të 2013-s. Për këtë nga ODHIR-i është propozuar një formulë mikse e institucionit më të lartë zgjedhor me propozime nga partitë dhe institucionet e pavarura. Ndërkohë gjatë këtyre ditëve mes ekspertëve të Komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore është rënë dakord për një formë të publikimit të listave të zgjedhësve dhe identifikimit të tyre, që pritet të shmangë një nga shqetësimet më të mëdha të opozitës në zgjedhjet e shkuara: manipulimin me listat e zgjedhësve dhe votimin më shumë se një herë të një zgjedhësi përmes kartave fiktive të identitetit. Në prononcimin për mediet pak ditë më parë bashkëkryetari socialist theksoi se ende mes dy palëve mbetet larg një kompromis për sistemin, pasi PD-ja po tregohet refraktare për korrektimin e proporcionalit. Në rast të kundërshtimit të korrektimit Gjiknuri zbardh një tjetër ofertë të PS-së për këtë çështje. “Për ta bërë më proporcional sistemin duhej të ishte bërë riformatimi i zonave zgjedhore në zona zgjedhore fikse. 10 zona do të ishin më të pranueshme, të ndara me 14 deputetë”, - tha Gjiknuri.

Zhgënjimi

Pas dështimit të votimit të ligjit në Kuvend në datën 30 shtator, ambasada e SHBA-ve në Tiranë reagoi duke thënë se shprehte zhgënjimin e saj për dështimin e miratimit të ligjit mbi gjykatat administrative. “Është për të ardhur keq që opozita zgjodhi të mos votonte projektligjin”, - ishte reagimi i ambasadës amerikane në vendin tonë.

Gjykatat

Në Shqipëri do të ngrihen 7 gjykata administrative, sa është edhe numri i gjykatave të apelit. Ligji parashikon dhe një gjykatë më të lartë, ku mund të ankimohen vendimet e shkallës së parë, e cila do të jetë Gjykata Administrative e Apelit. Gjyqtarët do të zgjidhen me dekret të Presidentit me propozim të ministrit të Drejtësisë.

Hetimi

Hetimi administrativ do të vazhdojë edhe në rastet kur palët e përfshira në një çështje nuk paraqiten në gjykatë. Kjo është dhe risia që sjell ky ligj, pasi çështja në gjykim nuk pushohet në rast të mosparaqitjes së palëve, dhe kjo shmang vonesat në shqyrtimin e çështjeve nga kjo gjykatë. Por kjo s’do të thotë që palët të mos njoftohen nga gjykata.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›