Rrethimi i dytë i kështjellës komuniste
Nga larg marrim vesh se së shpejti pritet të ndodhë në Tiranë hataja, rrethimi i dytë i Kështjellës, nga taborret e Sulltan Pekmez Ramës (Enveri II). Në krah të tij do të rreshtohen komandantët me nam, si Erion Pashë Veliaj, i plagosur rëndë nën muret e Kalasë së Beratit dhe Erion Pashë Braçe, i sëmurë nga era e rëndë e puseve të Kuçovës. Të pranishëm do të jenë kajmekam Ruçi i malit me dele të Salarisë, tok me qatipin Ngjela. Taboret do të jenë me asqerë të rinj. Qerret e karrocat do të vendosen në katundin Pezë, nën kujdesin e shqytarit me emrin Dash e mbiemrin Peza. Pastaj në të gdhirë ushtria do të marshojë më këmbë drejt Tiranës me Sulltanin, hipur mbi mushkë. Pas tyre do të mbërrijnë edhe sejmenët, si Paskali i Milo Palasës apo Gjinushi i Hormovës, të hipur mbi murgjarë. Nuk do të mungojnë as çinxhinjtë dhe daullxhinjtë me karrocë. Do të vijnë të mbartur me qerre, edhe dy pleq, koloneli në pension Pashaj, zot i detërave dhe oqeaneve, ndërsa tjetri, miku i tij, profesor Zeqo Shkumbanica. Tok me ta edhe Ferruni, hesapçiu i vjetër i fshatit kooperativist, sot mbrojtës i ajrit mbi botë.
Fushimi i ushtrisë, me çadra dyshe e treshe do të bëhet rreth Kështjellës, Kuvendit të burrave dhe ish-Sarajës, piramidës së Sulltan Enverit të parë. Thonë se çadra do të ngrihen edhe në qendër të qytetit, rreth Kasolles së Galigatit, ku është ngujuar fytyra e Sulltan Pekmez Ramës, meqenëse aty derdhi lot për pronat që shkuan e vanë për milet-bahçenë e sheshit Skënderbe, ashtu siç do të qajë edhe për mejhanen me raki, pula, dondorma, revani e kafe, me emrin kinez Tajvan, të përvehtësuar apo të vjedhur , me gjithë shatërvanin.
Sipas njerit, rrethimi i Kështjellës do të zgjasë 24 orë, sipas një tjetri me afat të pacaktuar. Nuk dihet se si është vendosur për fjetjen. Sa orë me gjumë dhe sa orë zgjuar. Sa roje bashkie do të caktohen për natën. Ku do të jenë wc-ët? Ku do t’i prehin shtatet, pleq e të rinjë, mbi dyshek, rrogoz, apo mbi bar? Me se do të mbulohen, me jorgan a batanie, fletë palme, apo gjethe fiku? Të gjorat femra si do t’u vejë halli? Po pleqtë e zbardhur nga kujtimet? Larg qoftë nga retë mbi Dajt e nga bubullimat e rrufetë e befas të shpërthejë rrebeshi me shi në Tiranën me kanale, llagëme e rrugë të bllokuara të Bashkisë plot reklama ndërtimore. Pastaj të përlajë çadra e batanie e parrulla të kuqe në mes të natës. Të shpresojmë natë ditë që të mos ndodh ajo kataklizmë bashkiake.
Kur të zbardh dita, pas leximit të fermanit me 1000 faqe, do të nis mësymja me thirrje e ulërima, për kutitë apo qypat me florinj, duke tundur grushtat lart dhe heshtat e flamurëve të kuq. Burizanët e Bashkisë, kllounët e Fiks-Fares, dudumat e Meros e kasnecët e lajmeve boshe me sokëllima, në vend të predhave, do të vërvisin këpucë, që mbajnë erë putrash, burrash e grash. Mbrojtësit e Kështjellës do t’i presin, duke hedhur nga dritaret, miqësisht lule dhe jo vazo, me ftesën: “Mirësevini në Kuvend”.
Po ç’ndodh realisht në vendin tonë? Njerëzit seriozë - siç dihet - vullnetin e tyre e shprehën më 28 qershor, ndaj s’kanë kohë të merren me aventura. Nga një anë, ata i janë përveshur punës, nga ana tjetër shohin me durim realizimin e premtimeve elektorale, sipas programit konkret demokratik, në vazhdim të projektit të nisur më 2005, siç janë integrimi në familjen e madhe euro-atlantike, liberalizimi i vizave, modernizimi i infrastrukturës rrugore, rritja e pagave dhe e pensioneve, hapja e vendeve të reja të punës, çlirimi i Shqipërisë nga varfëria, lufta kundër krimit e korupsionit, mbrojtja e ekonomisë nga efektet e krizës globale etj.
I madh e i vogël qeshin, kur shohin vargun e auobuzave me mitingashë dhe Ramën e klithmave nëpër autostradat e gjera të Shqipërisë, ashtu si Don Kishoti i Mançes dikur që “botën prapa desh ta kthente dhe në ushtë ta mbërthente”. Edvin Rama dhe Erion Veliaj pra, janë Don Kishoti i Mançes dhe Sanço Pança, të cilët sipas Nolit profetik, kanë marrë përsipër barrën e rëndë, ta kthejnë botën mbrapsht, nga kapitalizmi në feudo- komunizëm; nga dyfeku dhe topat në shtijzën e çomangën; nga shkenca në magji; nga historia në përrallat; nga përparimi në errësirën. Me fjalë të tjera, Edvini“është një fantazmë e ikur nga muzeu që shetit nëpër Shqipërinë moderne. Eshtë anakronizmi ambulant. Eshtë vizionari që nuk sheh realitetin, por ëndërron me sytë hapur. Eshtë utopisti reaksionar, që vete prapa e jo përpara; që përpiqet ta kthejë rrotën e historisë prapa; që i bie me kokë murit të çelnikt modern...”