E Shtunë, 31 Tetor 2026

PE: Të zgjidhet kriza politike, ndryshe penalizohet heqja e vizave

Në amendamentet e tyre europarlamentarët rekomandojnë ndaljen e procesit të integrimit dhe penalizmin e heqjes së regjimit të vizave


Rezoluta i nënshtrohet ndryshimeve, miratohet sot në PE

STRASBURG- Rezoluta mbi perspektivën evropiane të Shqipërisë i është nënshtruar sërish dje diskutimeve dhe ndryshimeve, ku janë përfshirë amendamentet e europarlamentarëve të majtë dhe të djathtë, ndërsa do të miratohet ditën e sotme në seancë plenare.


Në amendamentet e përfshira të socialdemokratëve dhe të radikalëve të djathtë, vihet në dukje se pavarësisht arritjes së plotësimit të kritereve teknike për liberalizimin e vizave, vazhdimi i krizës politike rrezikon edhe heqjen e regjimit të vizave.


Ndërsa lidhur me integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, amendamentet saktësojnë se Shqipëria duhet të vendosë stabilitetin politik dhe të përmbushë plotësisht kriteret e Kopenhagenit.


Në rezolutën e hartuar nga raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian Nikolas Kuntis janë përfshirë 6 amendamente shtesë nga eurodeputetët socialdemokratë dhe 5 të tjera nga ekstremistët e djathtë.


Në amendamentin e tyre numër 4 socialdemokratët i bëjnë thirrje qeverisë dhe opozitës shqiptare që të gjejnë një kompromis të qëndrueshëm për të bërë të mundur funksionimin e plotë të Kuvendit dhe garancinë për zgjedhjet e ardhshme.


"I bëhet thirrje qeverisë dhe opozitës për të gjetur një kompromis të qëndrueshëm, në mënyrë që të garantojë respektimin e plotë të vullnetit demokratik të qytetarëve shqiptarë në të gjitha zgjedhjet e ardhshme, ndërsa siguron aktivitet të plotë e të pandërprerë të Kuvendit",- thuhet në këtë amendament.


Ndërsa në amendamentet e tyre, esktremistët e djathtë Gerard Batten dhe Barry Madlener rekomandohet ndërprerja e procesit integrues të Shqipërisë dhe nxit Komisionin e Këshillin që të mos nisë negociatat për anëtarësim me Shqipërinë. "Rekomandohet pezullimi i procesit të integrimit për Shqipërinë",- thuhet në këtë amendament.


Po ashtu edhe në diskutimet e europarlamentarëve ditën e djeshme u kërkua zgjidhja e krizës politike dhe rikthimi i dialogut politik midis mazhorancës dhe opozitës ku më i ashpër në apelin e tij ka qenë Viktor Boshtinaru.


Boshtinaru i ka kërkuar Kryeministrit Berisha që të mos përmendë emrin e tij në Parlamentin shqiptar në një kohë kur integrimi evropian i Shqipërisë vihet në rrezik.


"Zoti Kryeministër Berisha në vend që të përpiqesh të mos përmendësh emrin tim në Parlamentin duhet të kuptosh se integrimi evropian është në rrezik, liberalizimi i vizave mund të jetë një hap përpara, por duhen plotësuar kriteren Kopenhagenit", - tha dje Boshtinaru.


Europarlamentari ka kërkuar që mazhoranca dhe opozita të zhvillojnë më tej dialogun midis tyre në mënyrë që të garantohet zgjedhjet e ardhshme.


"Parlamenti duhet të ketë një pozicion të qëndrueshëm për Shqipërinë. Unë jam shumë i shqetësuar për krizën politike në Shqipëri. Unë jam i shqetësuar për krizën institucionale që Shqipëria po përballet prej një viti dhe për qëndrimin e mazhorancës për ta mbajtur vendin në destabilitet.


Unë e nxis mazhorancën që të vazhdojë dialogun me opozitën në mënyrë që të arrihet një zgjidhje politike e pozitive për vendin, në mënyrë që të garantohen zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri"- u shpreh ai.


Në po të njëjtën linjë ka qenë edhe europarlamentari tjetër Libor Rouccek, duke thënë se Shqipëria ka humbur shumë kohë dhe tashmë nevojitet që politika të marrë përgjegjësitë e saj, ndërsa akuzoi qeverinë shqiptare se nuk ka dhënë konsensusin për ccështjet jetike të vendit.


"Shqipëria ka shpenzuar shumë energji dhe shumë kohë sepse qeveria nuk ka arritur dot konsensusin për të bashkëpunuar për çështje që janë jetike për vendin. Prioritet për këtë janë konsensusi për zgjedhjet.


Duhet që të gjitha partitë politike të marrin përgjegjësitë për të ecur përpara për të kryer ndryshime në sistemin elektoral për zgjedhjet e ardhshme",- nënvizoi ai. Midis europarlamentarëve ka pasur edhe polemika kur eurodeputeti socialdemokrat Kristian Vigenin i është drejtuar eurodeputetes Doris Pak që të mos vazhduar me mënyrat dhe deklaratat e saj në mëbshtetje të Kryeministrit Berisha. Rezoluta në të cilën janë përfshirë amendamentet e eurodeputetëve të djathtë dhe të majtë do të miratohet seancën plenare të ditës së sotme.


Debatet në Parlamentin Europian

Stefan Fyle: Duhet të merren parasysh rekomandimet e OSBE- ODIHR-it. Mirëpres thirrjet e PE për nje konsensus ndërpartiak. Shqipëria ka bërë progres, propozimet e Komisionit e tregojnë qartë këtë. Më shumë përpjekje duhen bërë për sitemin gjyqësor në Shqipëri, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. KE ka dhënë ndihmë financiare për sistemin gjyqësor, nga 2007 deri 2010.


Ne aspektin e lirisë së medias duhet bërë me shumë, intimidimi dhe ndikimi mbi gazetarët është shqetësim i madh. Politika duhet të ndajë përgjegjësinë, do të na lejojnë të vendosim një rrugë përpara të qartë.


Libor Rouçek: Shqipëria ka bërë progres, në rrugën e saj drejt integrimit. Por, duhet bërë më shumë mbi zgjerimin e demokracisë dhe shtetin ligjor në këtë vend. Shqipëria ka shpenzuar shumë energji dhe shumë kohë sepse qeveria nuk ka arritur dot në konsensus për të bashkëpunuar për çështje që janë jetike për vendin. Prioritet për këtë janë konsensusi për zgjedhjet.


Duhet që të gjitha partitë politike të marrin përgjegjësitë për të ecur përpara për të kryer ndryshime në sistemin elektoral për zgjedhjet e ardhshme. Edhe reformat ekonomike kanë nevojë për konsensus. Është bërë pak progres për të drejtat e pronarëve të tokave.


dhe opozita nuk ka konsesu per prioritet e vendit. Eshte jetike që të jgithë partitë politike të marrin përgjegjësitë. Reformat ekonomke, kane nevojë për konsensus. Është bërë pak progress, për pronarët e tokave. Ka nje hije të fortë, korrupsion, është një problem i madh. Ndërsa korrupsioni mbetet një problem i madh në këtë vend.


Marietje Schaake: Ne u dekurajuam sesi e shpërdoruan forcat politike shqiptare kohën e tyre duke dëmtuar imazhin e Shqipërisë. Takimi i përbashkët i Parlamentit e vuri theksin që polarizimi nuk e zgjidh situatën politike.


Demokracia kërkon përgjegjshmëri dhe jo fitimtari të marrë gjithçka, por me pjesëmarrje dhe bashkëpunim të mazhorancës dhe opozitës. Ne kërkojmë një shoqëri civile të mirë dhe liri të medies si dhe të drejtat e homoseksualëve, të drejtat e njerëzve me probleme fizike. Lufta ndaj korrupsionit dhe i garantimi i shtetit ligjor janë shumë të rëndësishme. Çështja e zgjedhjeve duhet marrë parasysh në mënyrë që në zgjedhjet e tjera situata të përmirësohet.


Nikolas Chountis: Procesi i pranimit duhet të bëhet. Në kushtet paraprake duhet që të japë sigurinë që t'i ndihmojmë për t'i kaluar problemet që Shqipëria ka. Kjo çështje do t'i bënte gjërat më të lehta.


Problemi është sesi mund t'i inkurajojmë politikanët dhe shoqërinë shqiptare që t'i zgjidhë këto çështje. Hapa janë bërë gjatsë këtyre kohëve të vështira dhe jo gjithmonë janë zbatuar në mënyrë të suksesshme, veçanërisht me nivelin e korrupsionit.


Përfundimi im është që ne nuk duhet të iniciojmë ndërhyrje nga jashtë, sepse zgjidhja e problemit duhet të vijë nga vetë politika shqiptare në mënyrë që të plotësohen edhe kriteret e Kopenhagenit.


Bastiaan Belder: Numri i vrasjeve në Shqipëri është rritur. Kjo është një çështje shumë e rëndësishme për anëtarësimin e Shqipërisë. Shqipëria duhet t'i luftojë këto fenomene që janë vërtet të rënda.


Judith Sargentini: Situata politike në Shqipëri është mjaft e ndërlikuar.


Bashkimi Evropian duhet të japë një sinjal të qartë se do të ketë një liberalizim vizash për shqiptarët, por në të njëjtën kohë autoritetet shqiptare, opozita dhe pozita nuk duhet të vazhdojnë betejën pambarim.


Qytetarët e Shqipërisë, liria e medies, trajtimi i grave, pozita e homoseksualëve dhe lesbikeve, pozita e njerëzve me probleme shëndetësore duhet trajtuar gjerësisht. Shqiptarët duhet ta pranojnë ndihmën e Bashkimit Evropian.


Eduard Kukan: Gjatë precindencës së Belgjikës do të duhet më shumë përparim në mënyrë që Ballkani Perëndimor të jetë prioritet i Bashkimit Evropian. Nëse shikojmë rezolutën, Shqipëria ka bërë një progres të madh porsa i përket çështjeve teknike për liberalizimin e vizave.


Por, nëse nuk funksionojnë institucionet demokratike, do të jetë shumë e vështirë që të ketë përparim drejt anëtarësimit në Bashkimit Evropian. Ka disa çështje politike që nuk janë zgjidhur akoma. Ato që janë në tryezë që nga zgjedhjet e kaluara duhet të merren parasysh.


Ligjet që janë në fuqi duhet të respektohen dhe politikanët në vend duhet t'i kuptojnë këto. Përsa i përket Shqipërisë procesi ka ecur përpara, do të jetë një rrugë e gjatë që duhet ndjekur.


Hannes Svoboda: Nuk bëhet fjalë thjesht për një mosmarrëveshje politike. Është një çështje për të gjetur një zgjidhje që institucionet shqiptare të funksionojnë në mënyrë efektive. Një komision hetimor duhet të jetë i qëndrueshëm në të ardhmen për të hetuar zgjedhjet, në mnënyrë që zgjedhjet e tjera të mos kontestohen nga opozita.


Lorenco Fontana: Ne përpiqemi që t'i afrojmë këto vende në Evropë. Shqipëria po dështon përsa i përket anëtarësimit në Bashkimit Evropian. Keni probleme me ekonominë. Përsa i përket çështjes së vizave, keni më shumë njerëz që vijnë të punojnë në tregun e zi. Kjo është diçka e keqe.


Ne duhet të mendojmë me keq për insistimin që do të kishim dhe do të ishte jo normale të sillnim në Evropë një vend me shumicë myslimane që është anëtare e Konferencës Islamike.


Alf Zvenson: Shqipëria ka probleme për shkak të krizës financiare por dhe politike. Unë i bëj thirrje opozitës që të bëjë gjithçka për të zgjidhur problemet.


Duhet gjetur një zgjidhje për t'i dhënë fund krizës politike në mënyrë që të zhbllokohet procesi i integrimit. Nëse jemi seriozë për mbështetjen tonë për Shqipërinë është përgjegjësia jonë që të arrihet një marrëveshje midis opozitës dhe mazhorancës. Unë shpresoj që dy grupet kryesore do të bashkojnë forcat për të gjetur një zgjidhje për Shqipërinë.


Viktor Boshtinaru: Parlamenti duhet të ketë një pozicion të qëndrueshëm për Shqipërinë.


Unë jam shumë i shqetësuar për krizën politike në Shqipëri. Unë jam i shqetësuar për krizën institucionale që Shqipëria po përballet prej një viti dhe për qëndrimin e mazhorancës për ta mbajtur vendin në destabilitet.


Unë e nxis mazhorancën që të vazhdojë dialogun me opozitën në mënyrë që të arrihet një zgjidhje politike e pozitive për vendin, në mënyrë që të garantohen zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri.


Zoti Kryeministër Berisha në vend që të përpiqesh të përmendësh emrin tim në Parlamentin duhet të kuptosh se integrimi evropian është në rrezik, liberalizimi i vizave mund të jetë një hap përpara, por duhen plotësuar kriteren Kopenhagenit.


Doris Pak: Unë i citova më parë këtu kolegët socialistë. Një komision hetimor është ngritur. Socialistët kanë shumicën në këtë komision. Ligji për zgjedhjet duhet të reformohet.


Kristian Vigenin- Doris Pakut: Vazhdoni të inkurajoni Berishën me mënyrat tuaja.


Hartuesit e amendamenteve Viktor Boshtinaru dhe Adrian Severin

Amendamenti 3

Mbështetja e Parlamentit Europian ndaj perspektivës europiane të vendit në të ardhmen. Por, sapo vendi të arrijë një nivel të stabilitetit politik e sigurisë dhe të përmbushen plotësisht kriteret e Kopenhagenit".


Në amendamentin 4


"I bwhet thirrje qeverisë dhe opozitës për të gjetur një kompromis të qëndrueshëm, në mënyrë që të garantojë respektimin e plotë të vullnetit demokratik të qytetarëve shqiptarë në të gjitha zgjedhjet e ardhshme, ndërsa siguron aktivitet të plotë e të pandërprerë të Kuvendit".


Amendamenti 5

"Përkeqësimi i krizës politike në Shqipëri, si dhe qëndrimi i blloqeve politike në takimin e parë ndërparlamentar të Stabilizimi-Asociimit Bashkimi Europian-Shqipëri, që dështoi për miratimin e një deklarate të përbashkët, mund të dëmtojë procesin e liberalizimit të vizave.


Ndaj nxiten të dy palët politike për të negociuar në funksion të një rezultati pozitiv dhe të qëndrueshem të krizës, duke nënvizuar se, nëse nuk gjendet një kompromis, Komisioni Europian duhet të vëre në pritje të gjithë procesin.

Amendamenti 6, paragrafi 8 :

"Reforma e sistemit gjyqësor dhe garantimi i dënimit janë parakushtet kryesore për procesin integrues të Shqipërisë në BE".


Në paragrafin e 10 të të njëjtit amendament thuhet: Shqipëria nuk është gati për liberalizimin e vizave".


Në amendamentet e tjera shtesë, dy radikalët Batten dhe Badlener theksojnë: Shqipëria është një ndër vendet më të korruptuara në Europë. Vërehet se Shqipëria është anëtare e Konferencës Islamike, një organizatë e cila ndalon të drejtat e njeriut dhe nuk përputhet me principet e BE-së.


Ekstremistët e djathtë propozojnë që rezoluta e Parlamentit Europian mbi Shqipërinë të rekomandojë madje "ndërprerjen e procesit integrues të Shqipërisë" dhe "nxit Komisionin e Këshillin që të mos nisë negociatat për anëtarësim me Shqipërinë".


Pas debatit të pasdites, rezoluta për Shqipërinë do t'i nënshtrohet forcës së votave në seancën plenare të së enjtes.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›