PE kundërshton çdo ide për ndarje të Kosovës

Deputetët e këtij Komiteti u kanë bërë thirrje autoriteteve të Kosovës, sikur edhe EULEX-it, që të bëjnë më shumë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Kjo është përfshirë edhe në projekt-rezolutën, për të cilën është diskutuar në këtë seancë të Komitetit.
E njëjta projekt-rezolutë shpreh keqardhje për atë që e quan mungesë të vullnetit politik për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në nivel të lartë.
Po ashtu është mirëpritur Studimi i Fizibilitetit, i paraqitur kohë më parë nga Komisioni Evropian, në të cilin thuhet se është e mundshme që të arrihet një marrëveshje në mes të Kosovës dhe BE-së, pa marrë parasysh mosnjohjen e Kosovës nga pesë vendet anëtare.
Por, përkundër kësaj, Parlamenti Evropian u bën ftesë pesë vendeve anëtare, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë sa më parë.
Edhe një herë, Parlamenti Evropian ka kundërshtuar fuqishëm çdo ide për ndarje të Kosovës.
Krahas Kosovës, në të njëjtën seancë është diskutuar edhe raporti për Serbinë. Deputetët evropianë kanë mbështetur qëllimin që sa më parë t’i jepet një datë për nisjen e negociatave të anëtarësimit Serbisë, mirëpo kanë nënvizuar se ky vend duhet t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura me Kosovën.
Sikur në raportin për Serbinë, ashtu edhe në atë për Kosovën, të dyja palëve u është bërë ftesë që të implementojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialog dhe të angazhohen në vazhdimin e dialogut në një frymë konstruktive.
Parlamenti Evropian kundër strukturave paralele të Serbisë
Parlamenti Evropian pritet t’u bëjë thirrje 5 vendeve anëtare të BE-së të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë një gjë të tillë.
Ky formulim ndodhet në propozim-rezolutën për Kosovën, të hartuar nga deputetja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, për të cilën sot pasdite pritet të debatohet në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian.
Pos kësaj thirrjeje, në këtë projekt-rezolutë ka edhe pjesë ku u bëhet ftesë autoriteteve të Kosovës që të bëjnë më shumë luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa EULEX-it që të jetë më efikas në kryerjen e detyrave për të cilat është vendosur në Kosovë.
Po ashtu, pritet që në këtë projekt-rezolutë t’u bëhet thirrje edhe autoriteteve në Serbi që të tërheqin nga Kosova strukturat paralele, apo strukturat shtetërore të Serbisë, para së gjithash, ato që kanë të bëjnë me fushën e rendit dhe ligjit, përfshi edhe Policinë e Serbisë që ndodhet në territorin e Kosovës.
Pritet që gjatë debatit, disa deputetë të Parlamentit Evropian, edhe një herë të kritikojnë misionin e e EULEX-it për mosefikasitet në kryerjen e detyrave.
Argument shtesë për të bërë një gjë të tillë, e kanë marrë edhe Raportin e fundit të Gjykatës Evropiane të auditorëve, të cilët kanë konstatuar që EULEX-i, dhe në përgjithësi prania e BE-së në Kosovë, nuk është shfrytëzuar sa duhet për të përmirësuar situatën, sidomos në fushën e rendit dhe ligjit, ku Kosova vazhdon të mbetet, siç thotë ky raport, një vend kur mbetet kryesisht i padënuar krimi i organizuar dhe korrupsioni.
Ka edhe tema të tjera të cilat do të diskutohen sot në Komitetin për Politikë të Jashtme dhe Siguri në Parlamentin Evropian.
Përpos Kosovës, do të diskutohet edhe për situatën në Serbi, dhe raportin për Serbinë të përgatitur nga Jelko Kacin. Pritet që në debate, si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë, t’u bëhet thirrje të dyja palëve që të vazhdojnë dialogun me frymë konstruktive, por edhe të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash, në dialogun e mëparshëm. /rel/