E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi miraton rekomandimin e Nait Hasanit

Nga Express më 19 maj 2011 në ora 17:09

(E plotësuar) Ligjvënësit i kanë dhënë mbështetje çështjes së ngritur nga deputeti Nait Hasani për masakrën e Burgut së Dubravës, duke miratuar me shumicë votash rekomandimin që Kuvendi i Kosovës t’u kërkojë organeve të gjyqësisë që të përshpejtojnë veprimet për ngritjen e aktakuzës për dënimin e kriminelëve të luftës.

Debati për masakrën në Burgun e Dubravës, i kryer nga forcat serbe në maj të vitit 1999, ka zgjatur disa orë dhe ligjvënësit kanë vlerësuar se kjo ishte masakra më e madhe dhe dëshmia më e mirë e synimeve të shtetit serb për ta spastruar Kosovën, në njërën anë me vrasje dhe në anën tjetër me dëbimin e shqiptarëve.

Nait Hasani si kërkues i debatit, ka thënë se Burgu i Dubravës nuk ishte Guantanamo, por ai ishte Aushvic ku u vranë dhe u masakruan shqiptarët.

Me debatin e sotëm, Kuvendi do të ngarkojë organet e gjyqësisë që të punojnë në drejtim të vënies në bankën e të akuzuarve të të gjithë atyre që kanë kryer krime në Burgun e Dubravës, e që dihen me emra dhe mbiemra.

Gjatë debatit vend të veçantë ka zënë atdhetari Ukshin Hoti, i cili ishte i burgosur në Burgun e Dubravës dhe ishte liruar pak para masakrës në këtë burg, mirëpo asnjëherë nuk u bë i ditur fati i tij.

Ligjvënësit i kanë dhënë mbështetje edhe rregullores për zgjedhjen dhe shkarkimin e Avokatit të Popullit dhe zëvendësve të Avokatit të Popullit, ndërkaq më herët gjatë ditës ka miratuar edhe raportit financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2010.

Të vërtetohet përgjegjësia shtetërore e Serbisë për masakrën e Dubravës

Masakra në Burgun e Dubravës e kryer nga forcat serbe në maj të vitit 1999 ka qenë tema qendrore e debatit të sotëm në Kuvendin e Kosovës, dhe pika që ka krijuar kompromis tek të gjitha grupet parlamentare. E përbashkëta e qëndrimit të të gjithë deputetëve ka qenë që kjo masakër të zbardhet dhe kriminelët të vihen para drejtësisë, kudo qofshin ata, në Kosovë apo në Serbi.

Ligjvënësit e kanë konsideruar këtë masakër si një pasqyrë të qartë të synimeve të shtetit serb mbi Kosovën.

Edhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi në një deklaratë për media ka thënë se kjo e vërteton përgjegjësinë direkte shtetërore të Republikës së Serbisë për masakrat e kryera në Kosovë.

“Është një prej masakrave që e vërteton përgjegjësinë direkte shtetërore të Republikës së Serbisë për masakrat që kanë ndodhur në Kosovë. Në Kosovë ka pasur veprime dhe hierarki politike dhe juridike në përgjithësi për çdo masakër që ka ndodhë, por në këtë rast ka pasur edhe menaxhim fizik të atyre njerëzve dhe menaxhim të drejtpërdrejtë nga Ministria e Drejtësisë e Serbisë e asaj kohe. Ne na duhet që të dimë çdo masakër, të dimë përgjegjësit e atyre masakrave, por mbi të gjitha të vërtetohet përgjegjësia e shtetërore e Republikës së Serbisë”, ka thënë Kuçi.

Edhe Ardian Gjini, shef i Grupit Parlamentar të partisë opozitare AAK, ka thënë se kjo ishte një ndër masakrat më të mëdha që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Mendoj se në këtë pikë deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë konsensus. Duhet të ketë sistem që përgjegjësit për njërën ndër masakrat më të mëdha që kanë ndodhur në Ballkan pas Luftës së Dytë Botërore të zbardhet”, ka thënë Gjini.

Derisa debati për këtë masakër ka zgjatur për disa orë, ligjvënësit nga komuniteti serb nuk kanë dashur të jenë pjesë e këtij debati, përjashtuar dy deputetëve që janë parë në seancë.

Zëvendëskryeministri Kuçi ka thënë se në një debat të tillë duhet të marrë pjesë secili deputet dhe ta dëgjojë të vërtetën.

“Unë mendoj që secili deputet qoftë shqiptar apo serb duhet të rrijë dhe ta dëgjojë të vërtetën. E vërteta duhet të dëgjohet, e jona përballë tjerëve, por edhe e vërteta brenda nesh dhe këtu nuk ka arsye askush të ndihet keq”, ka thënë Kuçi.

Debati për masakrën në Burgun e Dubravës është iniciuar nga deputeti i PDK-së, Nait Hasani, i cili është edhe njëri prej të mbijetuarve të kësaj masakre, ndërkaq ai ka paraqitur edhe rekomandimin që Kuvendi të kërkojë nga prokuroria dhe gjyqësia të përshpejtojë procedurat gjyqësore për ngritjen e aktakuzës me qëllim të dënimit të kriminelëve të luftës. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›