PE miraton heqjen e vizave
Parlamenti Evropian votoi dje heqjen e regjimit të vizave mes Malit të Zi, Serbisë, Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian, ndërkohë që la të hapur pranimin e Shqipërisë dhe Bosnjës në momentin që këto dy vende do plotësojnë kushtet. Në seancën e zhvilluar në mesditë, eurodeputetët votuan raportin e përfaqësueses së Sllovenisë, Tanja Fajon si dhe deklaratën e përbashkët të Komisionit dhe Këshillit Evropian. Në këtë dokument shprehet mbështetja e Unionit për liberalizimin e vizave me Ballkanin Perëndimor.
Shqipëria
Në deklaratën e miratuar nga eurodeputetët nuk përcaktohet një datë brenda të cilës do të hiqen vizat me Shqipërinë, por theksohet fakti se Parlamenti e Këshilli do të shqyrtojnë amendimin e Rregullores për regjimin e vizave me Tiranën dhe Sarajevën si çështje urgjente. Në të njëjtën kohë, në një paragraf i bëhet thirrje Shqipërisë dhe Bosnjës që të përmbushin sa më shpejt kriteret e përcaktuara në udhërrëfyesin e shpërndarë nga Komisioni. Drafti paraprak i deklaratës së miratuar në seancën e djeshme të parlamentit evropian përcaktonte datën 1 korrik 2010, si afat për hyrjen në fuqi të liberalizmit të vizave mes BE-së dhe Shqipërisë, nëse dy vendet vlerësoheshin se kishin përmbushur kushtet. Në mesin e këtij muaji, qeveria shqiptare do të dërgojë në Bruksel një raport mbi ecurinë e deritanishme të plotësimit të kushteve. Në muajin dhjetor pritet të vijë një mision i Komisionit Evropian për të parë nga afër plotësimin e kritereve, ndërkohë që një mision i dytë pritet të vijë në janar. Ministria e Jashtme shqiptare përshëndeti dje votimin në PE të deklaratës për Shqipërinë, teksa bëri të ditur se heqja e vizave me vendin tonë do të bëhet e mundur brenda vitit të ardhshëm. “Ministria e Punëve të Jashtme, duke vlerësuar përkrahjen e plotë të të gjitha institucioneve të Bashkimit Evropian, është e vendosur në realizimin e hapave të mbetur dhe shpreh bindjen se lëvizja pa viza e qytetarëve shqiptarë në hapësirën Shengen do të realizohet sa më shpejt që të jetë e mundur, brenda vitit 2010”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Ralf Gjoni.