PE, votëbesohen 27 komisionerët e rinj
BRUKSEL- Parlamenti Europian ka votuar me shumicë votash Komisionin e ri Europian të përbërë nga 27 anëtarë. Cdo komisioner iu nënshtrua një seance pyetjesh të vështira në Parlamentin Europian. Komisioni është krahu ekzekutiv i BE, që do të jetë përgjegjës për përpilimin e ligjeve të BE dhe detyron vendet anëtare që të zbatojnë traktatet dhe ligjet e BE. E vetmja kandidaturë që u rrëzua ishte ajo e bullgares Rumiana Jeleva, e cila nuk arriti të bindte eurodeputetët për postin e komisioneres. Ajo u zëvendësua nga Kristalina Georgieva. Në përfundim europarlamentarët votuan me 448 vota pro, 137 kundër dhe 72 abstenim. Vota parlamentare e gjithë komisionit u shty për tre muaj për shkak të vonesës së ratifikimit të Traktatit të Lisbonës. Sipas traktatit numri i komisionerëve do reduktohet me një të tretën në 2014. Ndaj është hera e fundit që Parlamenti Eurpoian voton për një komision me kandidatë të propozuar nga secili shtet anëtar. Presidenti i Komisionit është portugezi Hose Manuel Barroso, i cili ka marrë tashmë një mandat të dytë në detyrë nga liderët e BE. Komisioneri i zgjerimit që do të ketë më tepër kontakt me vendet që synojnë të anëtarësohen në BE, është ceku Shtefan Fyle.(m.a/News24/BalkanWeb)