Minatorët paralajmërojnë nisjen e protestave më 20 shkurt
TIRANE- Më datë 20 shkurt minatorët do të rinisin protestat përpara kryeministrisë në përpjekje të plotësimit të kërkesave të tyre për statusin e minatorit dhe anulimin e rritjes së cmimit të energjisë, ujit të pijshëm dhe telefonisë. Vendimi është marrë nga sindikata e minatorëve e cila shprehet e vendosur për të vazhduar rrugën e protestave, me qëllim plotësimin e kërkesave që sipas minatorëve janë minimale për të mbijetuar. “Do të radikalizojmë protestën tonë, nëse do të jetë nevoja do ta kthejmë në revoltë. Në qoftë nevoja do ta bëjmë Tiranën një Cikago në mes të Europës moderne. Ky është një vendim pa kthim mbrapa. I vetmi njeri që mund ta kthejë mbrapa këtë vendim është Sali Berisha , në qaftë se ai do të miratojë në mënyrë të menjëhershme statusin e minatorit dhe të gjitha kërkesat e tjera që ne i kemi paraqitur përpara vitit të ri, bashkë me grupin e sindikatave.” theksoi kreu i Sindikates së Minatorëve, Fiqiri Xibri. Minatorët i kanë bërë thirrje dhe shoqërisë civile për tju bashkuar protestës së 20 shkurtit. (e.n/News24/BalkanWeb)