Berisha: Paraqisni amendamentet dhe lini jashtë personat politikë

Kryeministri kërkon votat e opozitës për Gjykatën Administrative dhe heqjen e imuniteteve
TIRANË - Kreu i mazhorancës, Sali Berisha, ka kërkuar dje konsensusin e opozitës për të miratuar ligjin për Gjykatën Administrative, ligjin për policinë gjyqësore dhe atë të heqjes së imuniteteve, ndërkohë që nuk ka dhënë asnjë garanci për transparencën e zgjedhjeve.
Kërkesës në vazhdimësi të mazhorancës për miratimin e këtyre ligjeve opozita i është shprehur pozitivisht, por me kushtin që pozita të bëjë transparencën e zgjedhjeve.
Për këtë arsye, ajo ka theksuar edhe më parë se për sa kohë që pozita nuk jep garanci për transparencën e zgjedhjeve të kaluara, opozita nuk do të bëhet pjesë e miratimit të projektligjeve që kërkojnë një shumicë të cilësuar prej 3/5 e votave.
Por, pavarësisht qëndrimit të Partisë Socialiste për hetimin e zgjedhjeve të shkuara si rrugë për të zgjidhur krizën politike, Kryeministri i ka bërë thirrje deputetëve të majtë që të votojnë ligjin për Gjykatën Administrative.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kreu i kësaj partie kërkoi që socialistët të paraqesin amendamentet e tyre për ligjin në fjalë, por me kushtin që të mos infiltrohen persona nga politika drejt sistemit të drejtësisë.
"Ne u ofrojmë si kompromis, atë që, le të sjellin amendimet që duan për ligjin, me një kusht të vetëm, të respektojnë për këtë gjykatë, nenin që bashkërisht votuam për sistemin tërësor gjyqësor, nen, sipas të cilit nuk mund të futen më në sistemin e drejtësisë flukse nga politika apo të tjerë, përveçse nga magjistratura.
Unë mendoj se kjo është oferta më e sinqertë dhe në rast se pushteti nuk është i interesuar që ish-pushtetarë të tij apo pushtetarë të tij të vendosen në krye të sistemit gjyqësor administrative etj.", - tha dje Berisha.
Numri një i qeverisë vuri në dukje se 70 për qind e subjekteve private janë nën varësinë e pushtetit vendor dhe për këtë arsye, sipas tij, opozita duhet të jetë e interesuar për një qeverisje të mirë vendore.
Berisha ftoi opozitën që të japë kontributin e saj për krijimin e kësaj gjykate për përmirësimin e biznesit në vend, si dhe për të ndërprerë abuzimet e qeverisë qendrore dhe asaj vendore ndaj biznesit.
"Ndaj dhe unë e ftoj opozitën që të formulojë amendamentet që do, për të zgjedhur dhe procedurat më transparente të krijimit të kësaj gjykate, si dëshmi e vullnetit të saj, për të ndërprerë abuzivitetin e qeveritarëve të saj, të administratës së qeveritarëve të saj, por natyrisht edhe të qeverisë qendrore, sepse unë nuk them se qeveria nuk lidhje me biznesin, sepse i tërë biznesi i mesëm dhe i madh administrohet nga autoritetet qendrore tatimore dhe jo lokale", - u shpreh ai.
Krijimi i kësaj gjykate, sipas Berishës, është mjaft e nevojshme, sepse bizneset janë mekanizmat kryesorë që i japin zhvillim vendit.
Ai kërkoi gjithashtu që opozita të bashkojë votat me mazhorancën edhe për heqjen e imuniteteve. Ky ligj, sipas Berishës, duhet të bëhet sipas ekspertizës së ardhur nga Komisioni i Venecias dhe opozita, sipas tij, duhet të këmbëngulë për kalimin e këtij ligji, sepse, sipas kreut të qeverisë, ajo nuk mund të bëhet kërrabë e pushtetit.