E Shtunë, 31 Tetor 2026

PER 18-VJETORIN - PS feston ditëlindjen,mungojnë themeluesit

 

Aristir Lumezi

PS si asnjëherë tjetër ka zhvilluar një festë ndryshe në përvjetorin e saj të lindjes. 18 vjetori i krijimit të PS-së dhe pse jo jubile, për shkak se përkon me fushatën zgjedhore u kthye dje në amfiteatrin e Liqenit artificial në një festë për të gjithë. Kënga, ngjyrat, bluzat me sloganin e fushatës dhe portretin e Edi Ramës, kapelat, flamujt, çadrat e Vullnetarëve dhe të rinjtë në shumicë, përbënin dallimin mes një festave të mëparshme dhe atij spektakli festiv që të gjithë përjetuan dje. Festa nisi me muzikë, ku këngëtare të njohura dhanë më të mirën e tyre në skenën e amfiteatrit të Liqenit. Gledis, Era Rusi, Ariela Krasniqi, Eranda Libohova dhe në fund West Side Family mbajtën të ndezur atmosferën për mbi dy orë.
Përshëndetjet
Të pranishëm në këtë festë, themelues të PS-së së 1991, Moikom Zeqo, Maqo Lakrori, Namik Dokle, Luan Hajdaragaj, por dhe shumë socialistë të thjeshtë. Ra në sy mungesa e disa figurave historike, si kryetari i parë i saj, Fatos Nano, i vetmi president që socialistët kanë pasur në këto 18 vjet, Rexhep Meidani, Servet Pëllumbi por dhe patriarku i socialistëve, Dritëro Agolli, të gjithë protagonistë në kongresin e qershorit 1991 kur kjo parti u krijua. Ftesat për festën e djeshme janë bërë përmes telefonit, por dhe përmes disa ftesave në formën e fletëpalosjeve, ku ftoheshin anëtarë dhe simpatizantë të PS-së të merrnin pjesë në të. Nuk dihen shkaqet e mungesës së përfaqësuesve historikë socialistë. Pasi ka kënduar me West Side Family këngën e fushatës elektorale, “Çohu”, kreu socialist nuk ka dashur që këtë festë ta shndërrojë në një ceremoni fjalimi klasik përshëndetës. Rama tha se PS ka në ADN e saj aftësinë e vetëtransformimit. Kreu socialist ftoi në podiumin e amfiteatrit një nga përfaqësuesit e themeluesve, anëtarin e kryesisë, Namik Dokle, i cili është dhe kandidat për deputet në Tiranë. Dokle nga ana e tij përgëzoi Edi Ramën, i cili sipas tij e mori partinë në një moment të traumatizuar pas humbjen së zgjedhjeve të 2005 dhe se qëllimi i tij është largimi i Berishës”. Gjatë fjalës së tij të shkurtër, duke shpjeguar kohën e tij në krye të PS-së, Rama vlerësoi listën e kandidatëve të PS-së, e cila sipas tij, bën dhe dallimin mes filozofisë së kësaj partie dhe partive të tjera. “Ka pasur momente të vështira në këto vite, në të cilat pa asnjë dyshim jam ndier në vështirësi, ka pasur momente kur e kam pasur të vështirë të shpjegoj vendime të caktuara, por unë jam shumë krenar që sot nuk kam asnjë vështirësi që të shpjegoj pse PS në skuadrën e saj, për grupin e ardhshëm parlamentar, ka arritur të bëjë bashkë individë, histori, eksperienca, kaq të ndryshme”, tha Rama. Sipas tij, në tërësinë e vet PS dhe simpatizantët e saj i kanë mirëpritur këto skuadra, tregon që ne sot jemi siç do parti që është e vjetër për nga historia, një parti e aftë për të qenë e re përballë çdo sfide të re. Më pas Rama ka ftuar në podium të gjithë kandidatët e qarkut të Tiranës, por dhe nga qarku i Durrësit, që ishin prezentë në festën e djeshme duke kënduar bashkë me ta këngën e fushatës elektorale bashkë me “West Side Family”. Rama u shpreh se eksperienca në krye të PS-së e ka pasuruara atë si njeri, pasi gjatë rrugëtimit të tij në të gjithë vendin ka njohur njerëz  që “më kanë dhënë mua një përmasë krejtësisht të re të dashurisë për vendin tim, të dashurisë për njerëzit që flasin të njëjtën gjuhë, që ndajnë me mua të njëjtën histori, që kanë të njëjtat probleme në të njëjtin qiell dhe mbi të njëjtën tokë që quhet Shqipëri”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›