E Diel, 1 Nëntor 2026

Bumi i fëmijëve shkrimtarë në botë

Nëse kërkon në "Wikipedia" me ermin Alec Greven të del menjëherë se është një shkrimtar amerikan. Deri këtu nuk ka asgjë për t‘u çuditur, por nëse merr vesh moshën e tij gjithçka ndryshon. "Shkrimtari" amerikan është vetëm 9 vjeç. Disa muaj më parë Alec u shfaq në të gjitha televizionet europiane, u intervistua dhe u pyet thuajse nga të gjitha mediat. Alec ishte në Europë për të prezantuar librin e tij "Si t‘u flasim vajzave", i publikuar në SHBA nga "HarperCollins" ka hyrë mes bestsellerëve të "New York Times" dhe është përkthyer në 17 vende. "Si t‘u flasim vajzave", nisi si një projekt në shkollën fillore dhe përfundoi në listën e romaneve më të shitura. Ai vendosi të shkruajë librin, pasi teksa luante shihte shokët dhe gabimet e tyre kur u drejtoheshin vajzave. Ai u shfaq në "The Ellen DeGeneres Show" në shkurt të 2008-s dhe në prill të 2009-s dhe në "NBC‘s Late Night" me Conan O‘Brien në dhjetor të 2008-s. Në tetor të 2009-s, ai u shfaq gjithashtu në "The Tonight Show with Jay Leno". Po ashtu, ai u ftua për herë të dytë në "The Ellen DeGeneres Show" në prill, në 2009-n për të promovuar dy librat e tij të rinj "si të flasim me prindërit" dhe "Si të flasim me nënat". Shfaqjet e tij nëpër media ia rritën më shumë popullaritetin.

Por, tani Alec, pasi shkroi edhe dy libra të tjerë, po mendon të nxjerrë edhe librin e katërt për Krishtlindje. Problemi është se Greven nuk është i vetmi. Fëmijët shkrimtarë janë të shumtë në numër dhe ky fenomen është i përhapur kudo në botë. Rasti i fundit, për momentin është ai i Manuel Alguacil, një spanjoll edhe ai 9 vjeç, që u shndërrua në një yll në panairin e librit në Madrid, ku iu desh të jepte me qindra autografe dhe intervista i shoqëruar ngado edhe nga e ëma. Romani i tij "Thok, dragoi i supozuar" ka vetëm 38 faqe, por arriti të shiste rreth 1000 kopje vetëm brenda një dite. Megjithatë, sipas të ëmës, Manuel, librin e parë e kishte shkruar në moshën 6 vjeç. Pas "krahëve" të Alec dhe Manuel qëndron Libby Rees, edhe ajo 9 vjeçe, që ka botuar "Ndihmë, shpresë dhe lumturi", një libër që flet për divorcin e prindërve ku tregonte eksperiencën e saj si një vajzë e rritur me dy prindër të ndarë. Një libër i shkruar aq bukur sa edhe "Guardian" nuk e la pa shkruar një artikull mbi librin dhe talentin e saj. Zvicerani Christopher Beale ishte vetëm 6 vjeç kur publikoi tre vjet më parë tregimin e tij "Ekskursionet e fundit" duke u futur kështu në librin e rekordeve "Guinness" si romancieri më i ri në botë. Përballë tij Amelia Atwater-Rhodes, autore e romaneve "fantasy" kishte debutuar 13 vjeç, shumë larg moshës së tij. Megjithatë, sot në moshën 23-vjeçare ajo ka nxjerrë plot nëntë romane. Me pak fjalë nuk janë libra klandestinë, të destinuar për të qarkulluar vetëm nëpër festa familjare dhe duart e miqve të ngushtë. Janë vepra të mirëfillta letrare të publikuara nga shtëpi botuese me emër në botë, janë libra për të cilët flasin kritikët dhe gazetat më të mira në botë. Ndërkaq, mosha mesatare e autorëve të rinj sa po vjen e po ulet. Të rinjtë që kanë nisur të shkruajnë libra po e fillojnë aktivitetin e tyre nëntë ose më pak vjeç. Sigurisht, që letërsia nuk njeh moshë. Për shembull, Arthur Rimbaud ishte vetëm 15 vjeç kur shkroi "Anija hebreje". Sigurisht që të gjithë duhet të mendojnë se këta fëmijë që shkruajnë sot të njëjtën gjë do të bëjnë edhe nesër kur të rriten. Fenomeni mund të jetë treguesi i shumë gjërave: si për shembull të një krize të gjeneruar nga letërsia si një formë kreative e matur dhe e ndërgjegjshme. Në fund të fundit, nëse lexojmë Dan Brown dhe librin e tij "Kodi Da Vinçi" (ka nga ata që e përdorin për të ndërtuar historinë e Krishterimit) përse nuk duhet të lexojnë librin e vogëlushit Alec Greven dhe t‘i besojmë atij për të zbuluar se si sillen gratë? Por mos ndoshta bëhet fjalë për një "fëmijëzim" të shoqërisë, të një konfuzioni mes të rriturve dhe fëmijëve, ku gjyshërit, baballarët dhe fëmijët tashmë ndajnë të njëjtat pasione, lexime dhe të njëjtat zakone, nga Playstation tek atletet, nga historitë e Harry Poterit te filmat aksion. Që në vitin 1935, historiani i famshëm i qytetërimit, Johan Huizinga, paralajmëronte se në horizontin e botës perëndimore po shfaqeshin hijet e një shoqërie që sillet në mënyrë fëmijërore më të tepruar se ajo që duhet, të një shoqërie që në vend ta rriste një fëmijë dhe ta çonte drejt pjekurisë po përdorte vetë mënyra sjelljeje tamam si të vegjlit. Sigurisht që nuk duhet ekzagjeruar duke dhënë alarme. Nuk duket si një kërcënim për botën perëndimore adoleshentja Maria Elisabetta Scavia që ka debutuar në botën e letërsisë në vitin 2007, në moshën 14 vjeçe dhe me librin "Kur nuk të kam". Një libër me plot 450 faqe. "Libri është një roman i mirëfilltë, ngjarjet e të cilit zhvillohen në Anglinë e fillimeve të viteve ‘800. Ai është plot pasion dhe tensione erotike", tregojnë ata që kanë pasur mundësi ta lexojnë. Nga sajti i saj i internetit ////////////////aktorja tregon se ka shkruar edhe pesë volume të tjera për një total prej 100 faqesh. Por, për momentin nuk ka ndonjë lajm për ndonjë publikim të mundshëm. Aktualisht Scavia është rasti i vetëm i një shkrimtari fëmijë "made in Italy", sepse në përgjithësi bëhet fjalë për produkte të ardhura nga importi. Ndërkaq, zhanri i esesë dhe manualit duket se e kalon atë të romanit në botën fëmijënore. Këtë na e mëson indiani Ankit Fadia, që pas botimit në moshën 15-vjeçare me "Sfidat etike të lidhura me teknologjinë", tani ka një blog për rrjetin televiziv CNN. Megjithatë, më i mrekullueshmi është ai i Jonathan Kron: në moshën 13 vjeç, ky vogëlush i lindur në Atlanta ka shkruar një libër mbi konceptet bazë të konservatorizmit. Një libër ky që qarkulloi nëpër Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke ndezur flakë platetë republikane dhe duke i nxitur drejt revoltës pas humbjeve në zgjedhjet presidenciale. Duket e pabesueshme, por të gjithë i besuan asaj që ai kishte shkruar. Ashtu si do ketë prindër të divorcuar që sot do të mësojnë shumë nga vogëlushja Libby Rees, do të ketë edhe të rritur që do të mund të mësojnë rregulla të reja për të bërë për vete vajzat nëse lexojnë librat e shkruar nga 9-vjeçari Alec Greven. Fëmijët u shpjegojnë botën më të rriturve. E thënë kështu mund të duket një utopi, thuajse një ëndërr. Por, për momentin i ngjan më shumë një ankthi.

Protagonistët e rinj

Në moshën 9-vjeçare, britanikja Libby Rees ka shkruar një libër mbi ndarjen e prindërve. Në të njëjtën moshë me të, amerikani Alec Greven ka shkruar një bestseller që është publikuar në 17 vende të botës. Ata dhe tjerë bëjnë pjesë në grupin e fëmijëve gjeni që u shpjegojnë botën të rriturve, ndoshta pse jetojmë në një shoqëri që sillet gjithmonë e më shumë si fëmijët


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›