E Shtunë, 31 Tetor 2026

PERSE DESHTOI VELTRONI

Rreth 16 muaj më parë, Valter Veltroni la postin e kryetarit të Bashkisë së Romës dhe u vu në krye të partisë së tij, për ta udhëhequr atë në fushatën zgjedhore në zgjedhjet e parakohshme. Dihet, këto u provokuan nga rënia e qeverisë Prodi pas daljes nga koalicioni i Mastelës, kreu i një partie të vogël të qendrës, dalë nga shpërbërja e Partisë Demokristiane në fillim të viteve 1990.

Deri në atë moment, Veltroni, përfaqësues i brezit të të rinjve komunistë të viteve ‘70, kishte mundur të shihte se si Partia e dikurshme Komuniste e Italisë u shndërrua pas viteve ‘90 në partinë e "Demokratëve të Majtë". I transformuar në përkrahës të një vije "të ashpër" reformizmi, Veltroni insistoi që në fillim t‘i ndryshonte për herë të tretë emrin partisë. Por jo vetëm emrin. Edhe përmbajtjen. Për këtë qëllim realizoi shkrirjen në partinë e re, Partinë Demokratike, të një korrenti demokristian të grumbulluar në partinë "Margherita". Kreu i kësaj të fundit, Françesko Rutelli, kishte përshkuar një rrugë të mundimshme vetë-identifikimi: i pasionuar i artit dhe i monumenteve të kryeqytetit italian, kishte qenë edhe ai kryetar i Bashkisë së Romës, dikur radikal nga ata të Panelës, më vonë shumë pranë pozitave të Vatikanit.

Kjo martesë solli pyetje ekzistenciale brenda së majtës italiane: Cili do të ishte pozicionimi i Partisë së re Demokratike në spektrin e politikës italiane? A do të mund të quhej ajo edhe paskëtaj një parti e majtë? A do vazhdonte të bënte pjesë në Internacionalen Socialiste, si dikur Partia Komuniste e Berlinguerit dhe Partia e Demokratëve të Majtë e Fassino-D‘Alemës? Ǒqëndrim do të mbante partia e re ndaj problemeve djegëse që tronditin herë pas here opinionin italian, siç është ai i abortit, i fekondimit artificial, i eutanazisë apo i testamentit biologjik? Dihet se për to, komponenti "Margherita" i Partisë Demokratike, ka qëndrime esencialisht të ndryshme nga komponenti ish-komunist i saj.

Veltroni refuzoi t‘i trajtojë që në fillim këto pyetje ekzistenciale, dhe u hodh plot vrull në fushatën elektorale. Shpresonte të anashkalonte nyje të tilla dhe të gatuante në kudhrën e zgjedhjeve një parti të madhe "reformiste" fituese. Kjo nuk do të mbështetej në kundërvënien ideologjike dhe në "anti-berluskonizmin" metodik, por në konkurrencën mbi linja programore, në bashkëpunimin me mazhorancën për kryerjen e reformave të mëdha. Në këtë idil "reformist" nxori kokë edhe ideja e realizimit pas zgjedhjeve të një koalicioni të madh qeverisës mes Polit të Lirisë të Berluskonit dhe Partisë Demokratike të Veltronit (kujtoni deklaratën e Blushit tonë për një bashkëqeverisje PD-PS).

Veltroni nuk tregoi ndonjë kujdes të madh për t‘i përgënjeshtruar zërat mbi një aleancë të tillë paszgjedhore, dhe me këtë krijoi dyshime të reja dhe një tjetër shkëputje nga baza e majtë. Akoma më shumë u mor vesh me kreun e së djathtës, Berluskonin, të bënin një reformë zgjedhore që të synonte krijimin e një sistemi dy-partiak. Në këtë funksion, në zgjedhjet e 2008-ës, Veltroni refuzoi të bashkëpunojë me partitë e tjera të qendrës së majtë, duke u kërkuar zgjedhësve të mos votonin për to ("il voto utile"). Dhe zgjedhësit e dëgjuan: nuk votuan për to, por… nuk votuan as për Veltronin. Për rrjedhojë, viti 2008 filloi me një fitore të paprecedent të Berluskonit në zgjedhjet e parakohshme, ku ky realizoi një diferencë prej gati 30% mbi partinë "eksperimentale" të Veltronit. Fakti kurioz i zgjedhjeve ishte që partia opozitare "Italia e Vlerave" e ish-prokurorit Antonio di Pietro, që nuk pranoi të shkrihej me aliazhin e Veltronit, arriti një 8% të paparashikueshëm, që në zgjedhjet lokale të rajonit të Abrucos, në muajin dhjetor, u ngjit deri në 22%!

Ecuria e partisë së Di Pietros, që njihet si një kundërshtar i papajtueshëm i Berluskonit qysh nga koha e proceseve të bujshme të "duarve të pastra", nga njëra anë tregon se janë të shumtë italianët që e duan dhe që i besojnë Berluskonit aq sa e do dhe aq sa i beson Di Pietro, domethënë hiç fare. Por nga ana tjetër, tregon se të pakënaqurit me qeverisjen Berluskoni nuk kanë besim tek alternativa "reformiste" që Veltroni u mundua të ndërtojë, duke i hequr të majtës italiane shpirtin e vet, të materializuar në opozitën e fortë, në lëvizjen sindikaliste dhe në alternativat politike të përfaqësuara nga parti të tjera të majta, të cilat vërtet janë të vogla, por megjithatë përfaqësojnë copëza të rëndësishme të historisë së të majtës italiane. Pas dështimit të radhës në zgjedhjet lokale të Sardenjës dhe dorëheqjes së Veltronit, e majta italiane paraqitet e dobët, e ndarë dhe e hutuar si asnjëherë më parë. Gjë që i lejon Berluskonit të bëjë shiun e diellin në Italinë e rraskapitur nga një krizë ekonomike e sociale që zgjat prej gati 20 vjetësh, nga momenti kur pikërisht Berluskoni u shfaq në skenën politike italiane dhe e majta u vu dëshpërimisht në kërkim të një identiteti e të një shpirti të ri, "përtej së majtës e së djathtës".

Pikërisht. Këtu, edhe të duash, nuk mund të mos konstatosh ngjashmëritë mes historive italiane dhe atyre shqiptare, të cilat nuk i detyrohen thjesht majmunërisë politike, që është bërë proverbiale këndej nga anët tona. Përtej imitimeve servile, shpesh, zhvillimet politike në Itali janë shfrytëzuar nga politikanët shqiptarë për të përligjur bëmat e tyre këndej detit. Kështu, gjithkush e di se Kryeministri Berisha thjesht huazon fjalorin propagandistik të Berluskonit, si kur flet për "arritjet planetare" të qeverisë së tij, ashtu edhe kur lëshohet kundër opozitës "komuniste" e të "pareformuar", apo kur denoncon "komplotet e prokurorëve dhe të gjykatësve të kuq", ndërsa përpiqet të kalojë ligje "ad personam", që i vlejnë vetëm atij dhe bizneseve të tij. Këto "connections" italo-shqiptare, për sa i përket Kryeministrit Berisha, është gati t‘i pranojë edhe më i rreshtuari i analistëve shqiptarë. Por kur analiza përfshin edhe kampin tjetër, atë të së majtës "reformiste", këtu konjukturat italo-shqiptare pretendohet se nuk ekzistojnë, ose qëllojnë të ekzistojnë, por vetëm si koincidenca të rastit.

E pra, pas atyre që u thanë në rreshtat e mësipërm, gjithkujt i vijnë spontane një sërë përkimesh e asociacionesh mes kreut të deridjeshëm të opozitës italiane dhe kreut të opozitës shqiptare. Ashtu si kryebashkiaku Veltroni, edhe kryebashkiaku Rama e mori kreun e PS me ndjeshmëritë e një njeriu që vjen nga bota e artit, me ambicien për të plazmuar një grupim të ri, jashtë zyrave të partisë e brenda ateliesë së vet. Një grupim a lëvizje të karakterit qytetar, që nuk ka lidhje me historinë dhe kulturën e majtë shqiptare, diçka që mund të gatuhet nga e para sipas modeleve të përtej detit e të përtej oqeanit. Instrumenti për një krijim të tillë do të ishte "një politikë e re" e bazuar më së shumti në ture e premtime demagogjike, një politikë që shpall një shkëputje kirurgjikale nga e kaluara, që shpërfill historinë dhe vlerat fondamentale të së majtës, që përbalt Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe që stigmatizon jo vetëm vitet e "barbarisë komuniste", por dhe vitet e "shkuara dëm" të qeverisjes socialiste në demokraci.

Një politikë, që shpall si trashëgimi të vet kulturore veprën e përfaqësuesve të qarqeve më konservatore klerikale, duke sfiduar hapur rrënjët laike e liberale të kulturës së majtë e të vetë historisë së shtetit shqiptar. Nga ana tjetër, kjo politikë e re (që, fakt jo pa rëndësi, po lulëzon në kohën e qeverisjes së Sali Berishës) paraqitet si politikë jo e konfrontimit, por e dialogut, jo e grushtit, por e dorës së shtrirë, jo e refuzimit, por e bashkëpunimit. Shpërthimi i korrupsionit qeveritar në ditën e zezë të Gërdecit (ky, siç e tha plot mirëkuptim Edi dhe pas tij edhe Gramozi, "nuk duhej shfrytëzuar politikisht"!) nuk e mpaku vendosmërinë e kryetarit Rama për të vënë në jetë idetë e reja reformiste. Një bashkëpunim shembullor "për të bërë reformat" iu ofrua Sali Berishës, që u hutua nga një mirësi e tillë, jo më pak se socialistët e vjetër të Lagjes nr. 5, "Stalingradit" të Tiranës.

Sigurisht, për një bashkëpunim me Berluskonin për reformat kishte folur vazhdimisht edhe Veltroni, alter egoja e Ramës. Por ky yni i mori aq për zemër reformat berishiane, saqë votoi me symbyllur e brenda çastit si reformën kushtetuese, ashtu edhe reformën zgjedhore. Vërtet, në mungesë të shpjegimeve të kryetarit, një nga të përjetshmit e PS kërkoi ta sqarojë publikun me togfjalëshin "ia dhamë reformën kushtetuese Berishës, pasi ai na dha reformën zgjedhore". Me demek, "ma nep, ta nap", siç do të thoshte i përjetshmi Tano Banushi.

Te bashkëpunimi për reformat berishiane fillon, në fakt, edhe ndarja e Edi Ramës edhe nga vetë Valter Veltroni dhe kuturisja e tij "në drejtim të paditur". Sepse, Veltroni nuk ia fali Berluskonit as reformën kushtetuese dhe as atë zgjedhore, dhe ky i fundit më kot po mundohet prej 15 vjetësh, që nga viti 1993, t‘i realizojë ato sipas modelit (e interesit) të tij. Në fund të fundit, sado shpirt artisti e mendje reformatore, Veltroni është një politikan i lindur dhe i rritur në kudhrën e partisë së vjetër komuniste italiane. Dalldisjet reformisto-moderniste nuk ia vranë dot përfundimisht nervin e luftëtarit që ka kaluar aq shumë beteja në barrikadat e luftës për të drejtat ekonomike, politike e civile, kundër pushtetit të oligarkive, të segmenteve fashistoidë e të mafies me pushtet. Tek Rama, qartësisht nuk ekziston as një nerv e as një skrupull i tillë.

Në një vend të varfër, që po rrezikon të hyjë edhe njëherë në tunelin e errët të një krize të frikshme ekonomike, sociale, politike e morale, në një vend që rrezikon të rikthehet në skemat e vjetra klasore me të pasur e të varfër, kryetari i PS është angazhuar të pikturojë një botë virtuale, të karakterizuar nga mirëqenia e përgjithshme e paqja sociale, nga mëshira kristiane e solidariteti njerëzor, të ofruara jo si një program i partisë që ai drejton, por si një emanacion hyjnor i qenies së tij mesianike. Rama kërkon shkoqur një bashkim të ri të shqiptarëve përtej kufijve politikë, një bashkim me tingëllim të dyshimtë, një bashkim të popullit me prijësin, domethënë atë vetë: "Bashkohuni me Edi Ramën". E pra, Valter Veltroni, i cili është nga vendi që ka prodhuar Qezarin e Musolinin, nuk do të kishte shkuar kurrë kaq larg. Ai nuk do ta kishte premtuar kurrë ndërtimin e një shoqërie aq larg skemës e dialektikës demokratike, dhe aq afër modeleve totalitarë, aq afër modelit totalitar, që po ndërtohet dita-ditës nga ortaku i Ramës në reforma e përtej reformave, Kryeministri Sali Berisha.

Në këtë vështrim, "eksperimenti" i z. Rama për të plazmuar një forcë politike moderne, reformatore, pa aleatë e konkurrentë brenda kampit opozitar, të ndarë përfundimisht nga historia e kultura e së majtës shqiptare, rrezikon të dështojë, dhe të dështojë akoma më keq se eksperimenti Veltroni. Dorëheqja e këtij të fundit u pasua nga zërat për një çarje të madhe në gjirin e Partisë Demokratike dhe largimin e grupit centrist të Rutelit. Këtij zhvillimi katastrofik fatmirësisht iu dol përpara me një zgjidhje… "të djathtë". Si Sekretar i Përgjithshëm i saj u zgjodh Dario Françeskini, një ish-drejtues i lartë i "Margheritas". Dhe gjesti i parë politik i këtij politikani të ri me bindje katolike, e dini kush ishte? Në prani të të atit, një ish-partizan dhe ish-deputet i Partisë Demokristiane, u paraqit përpara kamerave në Kastel Estense në Ferrara, pikërisht në vendin ku në vitin 1943 fashistët ekzekutuan 13 të rinj antifashistë e komunistë. U paraqit përpara italianëve, duke u betuar, si kreu i ri i së majtës italiane, mbi tekstin e vjetruar të Kushtetutës së vitit 1948, të përdorur nga babai i tij antifashist. E pra, nëse ndokush tek e majta shqiptare do të donte të nxirrte një mësim nga pësimet e së majtës së përtej-detit, le të mbajë parasysh dështimin e një ish-komunisti, që për një moment refuzoi të ishte i majtë, dhe fillimin premtues të një ish-demokristiani, që ndryshe nga paraardhësi, e filloi detyrën si kreu i ri i opozitës italiane, duke iu referuar pikërisht historisë dhe vlerave historike të së majtës, Rezistencës Antifashiste dhe Kushtetutës demokratike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›