TRI OPSIONET DHE RRUGA
1.
Kur më 1999, ministri i atëhershëm i Jashtëm i Shqipërisë, Paskal Milo, shënonte spekulimet për opsionet e statusit të Kosovës, që silleshin në qarqet Perëndimore, do të dilnin tri: protektorati ndërkombëtar, pavarësia dhe ndarja.
Kur, pas dhjetë vjetësh, ulemi dhe analizojmë gjendjen në Kosovë, del se të tria këto opsione janë shkrirë në statusin e Kosovës, të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008. Kosova është njëkohësisht shtet i pavarur, një protektorat ndërkombëtar dhe është shtet ‘de facto‘ i ndarë. Kemi të bëjmë me bashkëjetesë të tri gjendjeve që do të duhej të ishin përjashtuese ndaj njëra-tjetrës. Si të tilla, në natyrë përjashtimi të ndërsjellë, ato megjithatë bashkëjetuan për një vit dhe me t‘u bërë bilanci bazik i ekzistencës të Republikës së Kosovës, do nxjerrë si konkludim që kemi të bëjmë me një gjendje e ndërmjetme, e cila nuk mund të zgjasë për një kohë të gjatë dhe e cila do zgjidhje të vetën.
Konkludimi thelbësor, në fakt, do të duhej të ishte, se sfida kyçe për Kosovën është si të tejkalojë këtë gjendje të bashkëjetesës së tri opsioneve përjashtuese. Dhe, kur të shndërrohen në sfida, veç e veç, atëherë pyetjet për Kosovën janë: si të bëhet vendi më i pavarur, si të dalë nga protektorati, si të bashkohet territorialisht?
Pyetja, në fakt është ajo e para një viti: si të bëhet Kosova shtet i pavarur? Por tash në kushte të tjera.
2.
Sfida e pavarësisë, e formuluar në pyetjen si të bëhet vendi më i pavarur, tingëllon si një lojë fjalësh, sepse shtetet ose janë ose nuk janë të pavarura. Por, marrë në formën e kushtëzuar (pra të një pavarësie aq sa e kanë fqinjët e Kosovës, për shembull), dy janë çështjet në të cilat formula e tanishme e pavarësisë së Kosovës kërkon më shumë punë e vëmendje.
E para është ajo e legjitimitetit ndërkombëtar të vendit. Skena ndërkombëtare ishte e ndarë rreth statusit të Kosovës në momentin e shpalljes dhe kjo u reflektua në cilësinë e legjitimitetit ndërkombëtar të Kosovës. Vendi, në këtë aspekt, është në masë të madhe në gjendje të njëjtë (me përjashtim të njohjes vjeshtore të dy fqinjëve, Malit të Zi e Maqedonisë) që ishte në 100 ditët e para pas shpalljes. Dhe, sikur në 100 ditët e para, përpjekjen për njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare vazhdojnë të udhëheqin shtetet sponsore të pavarësisë së Kosovës, në mungesë të identitetit autokton kosovar për ta bërë këtë. Brenda kontekstit të marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe jo vetëm në këtë, elita e pushtetit në Kosovë ende nuk sillet si një e shtetit të pavarur.
E dyta është ajo e funksionalitetit të shtetit. Deficiti institucional, si problem i evidencuar që prej çlirimit të Kosovës, u bë edhe më i dukshëm në vendin e pavarur. Pas një viti pavarësie, vendi është duke i mbushur postet vakante me emra, në masë të madhe me afinitet partiak. Deficiti institucional, mungesa e një shteti që funksionon me shërbyes civil, qartazi prodhon edhe rritjen e dukshme në shkallën e korrupsionit.
Por, funksionaliteti i shtetit është duke u dëmtuar në formë të dukshme edhe në prapakthimin që po përjeton vendi në rregullimin demokratik dhe në ndërtimin e konsensusit. Hapësira e mediave të lira është duke u ngushtuar nga ndërhyrjet qeveritare, qoftë nëpërmjet shantazhit, qoftë nëpërmjet shpërblimit për besnikëri. Ende nuk është e qartë se a po bëhet tranzicioni dhe nëse po, si, prej shërbimit sekret të PDK-së në atë të shtetit. Kuvendi i Kosovës, me dobësi strukturore, por edhe nëpërmjet korruptimit të pjesëve të opozitës, është shndërruar në arkivist të vendimeve qeveritare. Debati i brendshëm partiak te njëri prej partnerëve të koalicionit, LDK, është i ndaluar nga monopoli i pushtetit, përfshirë edhe atë ndërkombëtar.
Ky regresion në demokraci po përcillet edhe me humbjen e sensit për konsensus, të nevojshëm rreth çështjeve madhore. Gjatë një viti pavarësie, në vend që të ruhet konsensusi që ekzistonte gjatë bisedimeve për status, apo të ndërtohet edhe më, gjithnjë duke respektuar raportin mes partive në pushtet dhe atyre në opozitë, është vënë në funksion një formë e imponimit të vullnetit të shumicës. Në një demokraci me traditë dhe një shtet funksional, një formë e tillë mund të jetë fare legjitime, por në një shtet që ende po i mëson hapat e parë, mungesa e konsensusit dobëson dukshëm shtetin.
3.
Sfida e protektoratit, e formuluar në pyetjen "si të dalë nga protektorati?" ka një përgjigje të thjeshtë dhe një të ndërlikuar. E thjeshta është se Kosova do të dalë nga protektorati, atëherë kur të jetë në gjendje ta mbrojë e të qeverisë veten, pa ndihmën fizike të SHBA-ve dhe Evropës.
E ndërlikuara është se në tri parametrat bazikë të funksionimit të shtetit, Protektorati ka identifikuar boshllëqet ku nevojitet ndërhyrja e tij. Pra, nevojitet mbrojtja ushtarake e NATO-s nga agresioni i mundshëm ushtarak i Serbisë. Nevojitet protektorati për të mbajtur së paku gjendjen e tanishme të status-quo-së në perceptimin se kemi të bëjmë me një territor të bashkuar. Dhe, nevojitet protektorati për të mbushur boshllëkun e madh të sundimit të ligjit.
E ndërlikuara nuk qëndron vetëm në përshkrimin e këtyre detyrave, por edhe në definimin e misionit në përgjithësi. Para një viti, Protektorati duhej të shndërrohej në autoritet që mbikëqyr zbatimin e paketës "Ahtisaari". Por, gjatë një viti të pavarësisë, Protektorati është përfshirë në debat të vetin të brendshëm për të definuar rolin e vet të ri. Ky debat do të vazhdojë edhe më; rezultati i deritanishëm e definon Protektoratin si një tranzicion prej Paketës së Ahtisaarit në një gjendje të re.
Kjo gjendje e re ka dy përbërës. I pari është Serbia. Gjendja e re që synohet nga Protektorati, duhet të jetë produkt i një "marrëveshje teknike" mes Kosovës dhe Serbisë.
I dyti është Bashkimi Evropian. Ndonëse ka hisen më të madhe në Protektorat, BE-ja nuk ka unitet rreth pavarësisë së Kosovës, ngaqë 5 nga 27 vendet nuk e kanë njohur shtetin e pavarur. I gjendur mes kësaj pozite dhe një qasjeje pothuaj të unifikuar për nevojën e shpejtimit të integrimit të Serbisë në BE, vetë BE-ja është ajo që do të shtyjë "marrëveshjen teknike" mes Prishtinës dhe Beogradit, në mënyrë që të arrihet një definicion i ri i Protektoratit, që nuk do të ishte ekskluzivisht i mbështetur në Paketën "Ahtisaari".
Dhe, në këtë pikë, të ndërlidhjes së BE-së dhe Serbisë, gjendet në masë të madhe përgjigjja në pyetjen se si duhet bashkuar Kosova territorialisht?
Është e vërtetë, po të kishte qeverisje efikase në Prishtinë gjatë këtyre viteve, mund të thuhej se shumëçka do të mund të përmirësohej në raportet me serbët në Kosovë, e veçanërisht në Veri. Por, çfarëdo udhëheqje e Kosovës, shumë më e mirë se ç‘është kjo sot, do ta kishte vështirë të eliminonte pikën thelbësore të ndarjes së sotme, e ai është instrumentalizimi i serbëve të Kosovës nga Beogradi. Sot, kjo formë e instrumentalizimit ka të bëjë me një letër të fortë shantazhi që ka Beogradi zyrtar karshi Bashkimit Evropian, gjegjësisht misionit të vet më ambicioz deri tani, atë në Kosovë. Me pak investim, e me ruajtjen e gjendjes së tanishme në Veri, Beogradi mund ta devalvojë politikën e jashtme evropiane, gjegjësisht të dëshmojë paaftësinë e BE-së që të formulojë një politikë efikase rreth Kosovës.
Shikuar kështu gjatë këtij viti, në masë të madhe, mund të formulohet gjendja e unitetit territorial të Kosovës, duke e ndërlidhur me shpejtësinë e aderimit të Serbisë në BE.
4.
Sfidat e bashkëjetesës së tri opsioneve mund të mbesin në lojë edhe për një kohë, me efektet e veta paralizuese. Por, ndonëse për këtë mungojnë edhe analizat fillestare institucionale, nga vera e këtij viti Kosova ballafaqohet edhe me një sfidë tjetër, tashmë më pozitive se lëmshi i krijuar gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit. Me lëshimin në qarkullim të rrugës Durrës-Kukës do të ndryshojë, në përmasa historike, balanca e tanishme ekonomike dhe politike. Me dalje të shpejtë në Durrës, Kosova mund ta gjejë veten si pjesë të një tregu shumë më të gjerë se deri tani, fillimisht shqiptar, por jo vetëm të kufizuar në të. Me qasje tashmë të njëjtë ndaj Italisë, si edhe Shqipëria, Kosova pothuajse krijon fqinjësi me Italinë, dhe nocioni i fqinjësisë me BE-ne nuk i atribuohet më ekskluzivisht Greqisë. Duke ikur nga pozita e tanishme gjeografike, po ashtu del nga pozita e kushtëzimeve ekonomike, nga cilido prej fqinjëve, prej të cilëve kanë hyrë mallrat. Dhe, në një afat hiç më të madh se prej pesë vjetësh, çështja e bashkimit tokësor të Kosovës mund ta ketë edhe një dimension tjetër: krijimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që Nishi të shndërrohet në udhëkryq ballkanik, që do të bashkojë rrugën e Kukësit me rrugën e Bullgarisë për në Det të Zi.
Por, mbetet të shihet se a do të bëjë edhe një gjë rruga; duke e hapur vendin, a do të hapë edhe mendjet për t‘u ballafaquar me të gjitha këto sfida që e presin këtë vend të përvuajtur.