Edhe SHBA mund të njohin Palestinën?
Ministri izraelit i Industrisë, Tregtisë dhe Punëve, Ben-Eliezer, i kërkoi të dielën qeverisë që të përshpejtojë procesin e kthimit në negociatat paqësore për Lindje të Mesme, “qoftë edhe me çmim të ngrirjes së ndërtimeve për pak muaj”.
Ministri izraelit, Benjamin Ben-Eliezer, deklaroi se ekzistenca e Izraelit varet nga ripërtëritja e negociatave për Lindjen e Mesme, duke i paralajmëruar kështu gjatë takimit javor ministrat se Palestina mund të fitojë mbështetje për shtetin e vetë në botë edhe para se të arrihet paqja.
“Ne duhet të bëjmë ç’është e mundur që të hyjmë në bisedime me palestinezët, qoftë edhe nëse kjo kërkon ngrirjen e ndërtimeve për pak muaj”, theksoi Ben-Eliezer.
“Unë nuk do të habitesha nëse brenda vitit e gjithë bota do të mbështet shtetin palestinez, përfshirë këtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tek atëherë ne do të pyesim se ku ishim dhe ç’po bënim”, shtoi ai tutje.
Disa nga shtetet e Amerikës Latine tashmë e kanë njohur tashmë Palestinën si shtet. Bashkimi Evropian e ka shtyrë këtë gjë për një kohë më “të përshtatshme”, ndërkohë që Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA aprovoi këtë muaj një rezolutë, në të cilën theksohet se vetëm bisedimet paqësore mund të krijojnë një proces të tillë në lëvizje.
Bisedimet paqësore mes Izraelit dhe Palestinës pas rreth 2 vitesh ndërprerjeje rifilluan në muajin shtator, për t’u ndërprerë sërish vetëm pak kohë pas rifillimit.
Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abass, refuzoi t’i vazhdonte bisedimet pas rifillimit të ndërtimit të kolonive në tokat e pushtuara nga Izraeli në vitin 1967. Abass kërcënoi se pa ndërprerjen e përhershme të këtyre ndërtimeve nuk do të kthehet në bisedime.
Edhe BE dhe OKB i cilësuan këto ndërtime të jenë në kundërshtim të hapur me konventat ndërkombëtare.