PLL: Burimi i krizës politike, përpara zgjedhjeve
TIRANë- Partia Lëvizja e Legalitetit e sheh burimin e krizës së sotme politike që para zgjedhjeve të 28 qershorit ku sipas kësaj partie, dy forcat e mëdha politike hartuan kodin e ri zgjedhor me tendencë për të eleminuar partitë e vogla. PLL deklaron se hetimi i zgjedhjeve kërkon njohjen e përgjegjësisë për deformimet që ju bënë kodit. “Cdo bisedim, apo hetim për zgjedhjet e 28 qershorit kërkon një reflektim dhe njohje përgjegjësie për deformimet e shkaktuara në përfaqësimin politik nga shkaku i Kodit Zgjedhor dhe lëshimeve që ju bënë opozitës së majtë për zgjedhjen e sistemit elektoral, hartimin dhe miratimin e Kodit Zgjedhor si dhe administrimin e proçesit” theksoi në një konferencë për shtyp nënkryetari i PLL-së, Besnik Murati. Ndërkaq Partia "Lëvizja e Legalitetit" vlerëson rolin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi për thirrjen e tryezës me kryetarët e mazhorancës dhe opozitës për zgjidhjen e krizës politike në vend. “Vlerësojmë pozicionin e Presidentit të Republikës në këtë çështje, duke e inkurajuar në ushtrimin e paanshëm të detyrës” tha Murati. (e.n/BalkanWeb)