Tritol makinës së këshilltarit, PS: Provë e krizës
TIRANE- Partia Socialiste reagon pas shpërthimit në makinën e këshilltarit të Bashkisë së Vlorës duke e konsideruar këtë ngjarje si provën e radhës për krizën e rëndë, që sipas socialistëve, ka përfshirë vendin. Deputetja e PS, Luiza Xhuvani deklaroi përmes një konference për mediat se ngjrja e mbrëmshme është një tregues i shkallës së lartë të konfliktualitetit politik. “Si deputete e qarkut të Vlorës, por mbi të gjitha si nënë, i bëj thirrje Sali Berishës, të heqë dorë nga politika e përplasjes, nga politika e konfliktit. Të heqë dorë nga gjuha e urrejtjes, nga fjalori që nxit kundërvënie dhe që për pasojë, rezulton edhe në ngjarje të tilla, si ajo e mbrëmshmja, kur Morand Hoxha, fatmirësisht shpëtoi gjallë, por që në qytetin e Vlorës dhe në të gjithë Shqipërinë la një shije të hidhur dhe përforcoi edhe më shumë ndjenjën e frikës dhe pasigurisë” theksoi Xhuvani. Ekspertët e kriminalistikës po hetojnë për shpërthimin që ndodhi të shtunën në Vlorë ku rrezikoi jetën këshilltari i Bashkisë së Vlorës, Morand Hoxha. Këshilltari ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën dhe po mjekohet nga dëmtimet që ka marrë në të dyja këmbët. Shperthimi tronditi lagjen “Isa Boletini”, te qytetit te Vlores ne afersi te shkolles 9-vjecare “Ismail Qemali” rreth orës 21:50 minuta të mbrëmjes së djeshme.. Sasia e konsiderueshme e eksplozivit copëtoi automjetin e tipit “Benz Mercedes 240”, ngjyrë e bardhe. Ekspertët sqarojnë se makina ishte parkuar para një pallati dhe se ka shpërthyer në momentin që Morand Hoxha i është afruar asaj. (e.n/BalkanWeb)