E Shtunë, 31 Tetor 2026

PNDSH e quan jonormal takimin Thaçi-Daçiq

Partia Nacionale Demokratike Shqiptare (PNDSH), ashtu sikundër dhe një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës, është në konfuzitet por edhe e brengosur lidhur me takimin Thaçi-Daçiç, përgjithësisht lidhur me bisedimet Kosovë-Serbi.

Kështu pohoi kryetari i PNDSH-së Bujar Abdullahu, në një konferencë për media, ku shpalosi qëndrimet e partisë së tij mbi zhvillimet e fundit politike në Kosovë, posaçërisht për takimin Thaçi-Tadiç.

Abdullahu pohoi se gjithçka rreth këtij takimi mbetet e paqartë dhe se asgjë nuk duket normale edhe pse është fjala për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Ne jemi të brengosur, sepse çdo gjë lidhur me këtë takim dhe me këto bisedime, nuk është e qartë, për shumëçka dihet pak ose aspak. Thjeshtë asgjë nuk duket normale edhe pse thuhet se fjala është për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Jonormaliteti i takimit Thaçi-Daqiç shtohet edhe më shumë me fotografinë e vetme dhe të publikuar me vonesë, e cila më shumë se në kryeqendrën të Evropës demokratike, të krijohet përshtypja se është bërë në ndonjë kamp të Afganistanit, me rastin e ndonjë kidnapimi”, pohoi Abdullahu.

Abdullahu po ashtu e quan brengosëse edhe konstatimin e zëvendëskryeministrit të Kosovës Hajredin Kuçi, sipas së cilit dialogu me Serbinë nuk ka rrezik, në kohën kur, sipas tij, po na thuhet se duhet të hyjmë në dialog për të nxjerrë përfitime, sikundër është normalizimi i marrëdhënieve me shtetin fqinj, që vazhdon të na kërcënojë.

“PNDSH konsideron se në Kosovë nuk ka as demokraci të mjaftueshme, as institucione funksionale, as pushtetar të besueshëm, që e gjithë biseda me Serbinë të mbulohet dhe kalohet me një rezolutë shkel e shko në Kuvend, të cilës për fat të keq nuk i zihet besë”, tha ai.

Por edhe përkundër kësaj situate PNDSH thërret sidomos opozitën, por dhe shoqërinë civile, që ta përcjellë situatën, gjatë gjithë kohës dhe të jetë konsekuente dhe unike, që prapa bisedimeve me Serbinë, të kërkojë një platformë të ligjshme dhe të detajuar, ku theks të posaçëm do t’i vihet mosndryshimit të brendshëm politiko- juridik të Kosovës, kinse për begatimin e të drejtave të minoritetit serb në veri të Kosovës.

Ndërsa i pyetur për takimin që ai kishte ditë me parë me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Abdullahu pohoi se ata kanë marrë një ftesë nga LDK-ja, për të filluar një bashkëpunim dhe se kjo ka ndodhur me rastin e anëtarësimit të LDK-së, në partitë popullore të djathta të Evropës. Ai tha se kjo ka qenë një ftesë e sinqertë, e cila ka rezultuar me një përgjigje të ngjashme. Abdullahu po ashtu pohoi se janë takuar me kryesinë e LDK-së, ku kanë biseduar hapur për zhvillimet e fundit në Kosovë, për reformat zgjedhore, për traditën e PNDSH, për mënyrën se si mund të gjejmë pikëtakime dhe të veprojnë së bashku në mënyrë që të ndikojmë pozitivisht në procese.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›