E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tadiç, në Kosovë me helikopterin e KFOR-it

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, hyri dje në Kosovë dhe udhëtoi drejt Deçanit, për vizitë në manastirin e kësaj zone. Lajmi mësohet nga mediat e Beogradit dhe ato kosovare, të cilat konfirmuan se kreu i shtetit serb, mëngjesin e djeshëm ndodhej në Kosovë. Edhe pse u lajmërua se Tadiç do të mbërrinte në Kosovë nëpërmjet pikës kufitare të Merdares, mësohet se hyrja e tij në territorin kosovar u bë nga ajri. Agjencia e lajmeve, "Kosovapress", bëri të ditur se kreu i shtetit serb mbërriti në Deçan me një helikopter të KFOR-it.

Mediat serbe bënë të ditur se Tadiç, me vëllazërinë e këtij manastiri do të shënojë të Premten e Madhe në prag të Pashkëve ortodokse, që kremtohen sipas kalendarit "julian". Dje, gjatë gjithë ditës, në kabinetin e Presidentit serb kanë refuzuar të japin hollësi rreth kësaj vizite. Mediat serbe kanë raportuar gjithashtu se Tadiç nuk kishte kërkuar leje nga institucionet vendase për të hyrë në Kosovë. Institucionet vendase në Kosovë deri vonë deklaruan se nuk do të lejojnë hyrjen e asnjë zyrtari, nëse nuk respektohen procedurat mbi vizita të tilla, e që kanë të bëjnë me kërkesën drejtuar vetë institucioneve kosovare. Por, lejimi i vizitës së Presidentit të Serbisë, sikurse citon Radiotelevizioni i Kosovës, është bërë pas bisedës së përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar në Prishtinë, Pieter Feith, me Kryeministrin Hashim Thaçi. Thuhet se Feith i ka përcjellë Thaçit qëndrimin e zyrtarëve më të lartë të Bashkimit Evropian, për lejimin e vizitës së Presidentit Tadiç.

Një tjetër media kosovare, "Evropa e Lirë", bëri të ditur se Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i është përgjigjur zotit Feith se "ka vendosur ta lejojë hyrjen e zotit Tadiç, nisur nga fakti se ushtrimi i lirive fetare është i garantuar me të gjitha konventat ndërkombëtare dhe, gjithashtu, duke pasur parasysh se qeveria e Kosovës e konsideron këtë vizitë krejtësisht private e të natyrës fetare".

Në një komunikatë për mediat, Thaçi gjithashtu ka lënë të kuptojë që "nëse Presidenti i Serbisë bën çfarëdo deklarimi politik në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, atij do t‘i ndalohet hyrja në Kosovë në të ardhme, qoftë vizitë private, apo zyrtare". Pak para lejimit të vizitës së Tadiç, Kryeministri Hashim Thaçi mblodhi anëtarët e kabinetit qeveritar për të vendosur nëse do t‘i jepej leje Presidentit serb për të hyrë në Kosovë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›