E Diel, 1 Nëntor 2026

PPE: Qeveria “Berisha” është legjitime, Parlamenti po funksionon, opozita të njohë zgjedhjet

Deklarata e përbashkët e Presidentit të PPE-ve Martens, ministrit italian Frattini dhe eurodeputetit Brok, pas takimit të ministrave të Jashtëm të grupit të popullorëve në Asizit, Itali: Opozita të njohë zgjedhjet dhe të kontribuojë në parlament për vizat


BRUKSEL- Nisur nga takimi i fundit i Ministrave të Jashtëm të Partisë Popullore Evropiane (PPE) në Asizit Itali, Presidenti i Popullorëve, Wilfried Martens, dhe koordinatorët e grupit të ministrave të Jashtëm të PPE-së, ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Frattini dhe anëtari i Parlamentit Evropian Elmar Brok, bënë një deklaratë të përbashkët për Shqipërinë. “Shprehim shqetësimin tonë rreth situatës aktuale politike e cila lindi pas zgjedhjeve demokratike të mbajtura në qershorin e vitit të kaluar, me refuzimin e z.Rama dhe Partisë Socialiste për të përmbushur rolin e tyre si opozitë parlamentare, duke zgjedhur rrugën për kërkesat e tyre dhe në këtë mënyrë bllokimin e funksionimit të Kuvendit. Ne kujtojmë se, pavarësisht nga kjo dhe pavarësisht nga akuzat e bëra nga opozita, qeveria e kryeministrit Sali Berisha është e ligjshme dhe parlamenti është tani plotësisht funksional. Ne kërkojmë që Partia Socialiste, të qëndrojë në Parlament dhe të përmbushë rolin e saj si opozitë, duke pranuar rezultatin e zgjedhjeve të certifikuara nga KQZ, Kolegji Zgjedhor, Gjykata e Apelit dhe vëzhguesit e organizatave ndërkombëtare”- thuhet në deklaratën e përbashkët të Martens, Frattini dhe Brok. “Ne kemi theksuar, thuhet më tej në deklaratë se procesi i liberalizimit të vizave me Shqipërinë nuk duhet të vihet në pikëpyetje nga situata e tanishme politike, besojmë se çdo përpjekje e tillë do të ishte në dëm të popullit shqiptar. Ne mirëpresim progresin e arritur nga qeveria shqiptare, dhe besojmë se Këshilli dhe Parlamenti Evropian duhet të miratojë heqjes së vizave për Shqipërinë brenda vitit 2010-të. Ne i kërkojmë opozitës të respektojë plotësisht Kushtetutën e vendit dhe të veprojë sipas rregullave të shtetit të së drejtës, kujtoj se ky është një nga kriteret e Kopenhagenit, kusht ky për anëtarësimin në BE. Ne besojmë se Bashkimi Evropian duhet të mbështesë dhe të inkurajojë qeverinë shqiptare në hapat e saj drejt forcimit të demokracisë dhe rrugës së integrimit në Bashkimin Evropian. Vlen të përmendim se edhe pse qeveria shqiptare ka bërë një numër të konsiderushëm koncesionesh në mënyrë që të trajtojë kërkesat e opozitës, sidomos duke i ofruar asaj shumicën dhe kryesimin e një komisioni hetimor parlamentar, z. Rama dhe opozita kanë bërë vazhdimisht kërkesa të reja, të cilat bien në kundërshtim me Kushtetutën, ligjin zgjedhor dhe vendimet e mëparshme gjyqësore, supozojmë pra, që zoti Rama nuk është i interesuar për një marrëveshje politike që të respektojë sundimin e ligjit dhe të Kushtetutës”- deklarojnë Presidenti i Popullorëve, Wilfried Martens, ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Frattini dhe anëtari i Parlamentit Evropian Elmar Brok, në deklaratën e përbashkët për Shqipërinë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›