E Shtunë, 31 Tetor 2026

Denoncimi/ Edi Rama prej 3 vjetësh nuk duket në bashki

Qytetarëve u vilen taksat rregullisht, por s’marrin asnjë shërbim, Bashkia e Tiranës është jashtë çdo lloj funksioni


Partia Demokratike është shprehur dje se prej 3 vitesh, Bashkia e Tiranës nuk ka kryetar. Deputetja demokrate për Tiranën, Lajla Përnaska, tha se Edi Rama tashmë po merret me punë te tjera, të cilat s’kanë lidhje me Kryeqytetin. Sipas saj, Rama është parë gjithkund, duke bërë protesta, greva dhe bllokuar rrugët, por asnjëherë të merret me punët e qytetit. “Ka tre vjet që Edi Rama e ka braktisur detyrën e tij si kryetar i bashkisë së Tiranës. Praktikisht qyteti i Tiranës nuk ka kryetar bashkie. Në këto tre vite qytetarët e Tiranës e kanë parë Edi Ramën të merret me gjithçka tjetër, por jo me problemet me të cilat ballafaqohen çdo ditë qytetarët e Tiranës. Qytetarët e Tiranës e kanë parë z. Rama në turin e tij parazgjedhor ‘Dialog me Shqipërinë’, në turin e tij paszgjedhor për të qëndruar si kryetar i Partisë Socialiste, duke organizuar protesta, greva urie, duke bllokuar akse rrugësh”, u shpreh deputetja demokrate. Përnaska tha se qytetarët e Tiranës e kanë parë Edi Ramën të lobojë kundër liberalizimit të vizave dhe integrimit të Shqipërisë, por nuk e kanë parë atë t’i shërbejë atyre si kryetar bashkie. “Ka tre vjet që Edi Rama ka bojkotuar qytetin dhe qytetaret e tij, detyrën për të cilën është zgjedhur. Dhe komuna më e vogël e vendit ka nevojë për një kryetar me kohë të plotë, kurse Tirana, kryeqyteti i vendit, me rreth 700 mijë banorë dhe probleme të shumta përbën shqetësimin e fundit të Edi Ramës. Një foto e çastit e Edi Ramës pranë një kanali apo ekskavatori, siç ka qejf të dalë ai, nuk i gënjen dot qytetarët e Tiranës. Kryetari i bashkisë e ka bojkotuar tërësisht qytetin”, deklaroi deputetja e Partisë Demokratike, Lajla Përnaska. Nuk është e rastësishme që qytetarët e Tiranës ndeshen me problemet më të pazakonta në Kryeqytet. Pavarësisht se u vilen xhepat me taksa stratosferike dhe të pajustifikueshme, qytetarët e kryeqytetit nuk marrin asnjë shërbim nga bashkia e Tiranës, njësoj sikur kjo e fundit të mos ekzistojë apo t’i jetë vënë kyçi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›