“Shqipëria po ndryshon”, Berisha në Bërxullë: Në 2013-ën Shqipëria do jetë një vend tërësisht evropian

“Nga 1 korriku, rritja më e madhe e pagave dhe pensioneve”
“Brenda këtij mandati qeveria do finalizojë në një kohë rekord ndërtimin e Shqipërisë Evropiane”. Kështu u shpreh sot kryeministri i vendit Sali Berisha, gjatë turit të inaugurimeve, ku është ndalur në Bërxullë të Tiranës. Shefi i ekzekutivit ka marrë pjesë në ceremoninë e demostrimit të teknologjive të reja të ndërtimit të rrugëve rurale, nga ku deklaroi se në këtë mandat qeveria do finalizojë në një kohë rekord asfaltimin e 7 mijë km rrugë në mënyrë që Shqipëria në 2013-ën Shqipëria të jetë një vend tërësisht Evropian. Duke iu referuar situatës ekonomine, kreu i qeverisë tha se Shqipëria është e vendosur të mbajë rritjen më të lartë të investimeve në botë. Sipas tij ekonomia shqiptare nuk është e bazuar në fllucka por në mundin dhe përkushtimin e shqiptarëve dhe në parimet e shëndosha si një dokument themelor. “Bota sot vuan pasojat e krizës por ekonomia jonë qëndron më mirë se çdo ekonomi tjetër. Ekonomia shqiptare garanton bindshëm rritjen e pagave dhe pensioneve, rritjen më të madhe që është njohur ndonjëherë.
Fjala e plotë e Kryeministri Berisha në ceremoni: Sot në këtë rrugë që lidh komunën tuaj me autostradën kryesore që të çon drejt kryeqytetit, aplikohet për herë të parë në Shqipëri, por edhe për herë të parë në Ballkan një teknologji e re dhe e shkëlqyer në ndërtimin e rrugëve. Teknologjia e re, e cila konsiston në një seri procesesh të lidhur njëri me tjetrin, krijon mundësinë e ndërtimit me shpejtësi të paimagjinueshme deri më sot të rrugëve, krijon mundësi të ndërtimit jo vetëm me shpejtësi të pakrahasueshme me shpejtësitë e punimeve të derisotme, por edhe me një cilësi dhe kosto po kaq të leverdishme. Kjo teknologji bazohet në shfrytëzimin tërësor të materialit gjeologjik ekzistues në rrugë dhe shndërrimit të tyre, nëpërmjet bashkimit me çimento, bitum dhe përbërës të tjerë, në një masë kompakte rezistente aq sa betonet më të mira. Nga ana tjetër, duke shfrytëzuar tërësisht materialin ekzistues, kjo teknologji shkurton në mënyrë të jashtëzakonshme si kohën ashtu edhe koston, sepse përjashton transportin dhe në rrafshin teknologjik mundëson përfundimin në një kohë rekord, edhe brenda disa orëve, të rrugës me të gjithë kërkesat dhe parametrat e saj. Duhet të përgëzoj në mënyrë të veçantë zotin Benet Beci që bashku me Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve dhe ministrinë e Punëve Publike u bë promotor për aplikimin e kësaj teknologjie dhe sjelljes së saj në Shqipëri. Përgëzoj kompaninë ‘Delia’, e cila së bashku me partnerët e saj gjermanë bëhet pioniere në aplikimin e kësaj teknologjie. Në përpjekjet e qeverisë sonë për të ndërtuar rrugët kudo që janë në këtë vend përdorimi i kësaj teknologjie hap një kapitull të ri në kohën më të përshtatshme. Gjatë katër viteve të shkuara ne asfaltuam, ndërtuam dhe rindërtuam 6000 kilometra rrugë. Por Shqipëria është një vend i vogël me rrugët më të gjata. Janë për tu ndërtuar e asfaltuar edhe 7000 kilometra rrugë të tjera. Kjo teknologji na jep ne siguri të plotë se në këtë mandat ne finalizojmë në një kohë rekord asfaltimin, ndërtimin dhe rindërtimin e 7000 kilometrave rrugë, në mënyrë që Shqipëria në vitin 2013 të jetë një vend tërësisht evropian, të jetë një vend thellësisht evropian, të jetë një Shqipëri evropiane për sa i përket infrastrukturës së saj moderne rrugore. Ne inaugurojmë fillimin e punimeve në autostradën Tiranë – Elbasan, fillojmë ndërtimin e rrugës së Arbrit në segmentin e saj Klos – Tiranë, përfundoi tërësisht projekti për tunelin e Qafë Murrizit. Kështu që ne do të takohemi në vitin 2013 si një vend me një infrastrukturë rrugore tërësisht të re. Pra, teknologjia që aplikojmë sot na jep garanci të plotë se do të përmbushim premtimet tona, do të përmbushim para jush dhe mbarë shqiptarëve fjalën e dhënë. Ne gjatë këtyre 3 viteve do të asfaltojmë dhe do të bëjmë që çdo fshat i këtij vendi, kudo që pozicionohet, të lidhet me qendrën e komunës për 20 - 30 minuta dhe çdo qendër komune, kudo që ndodhet, të lidhet me rrugët kombëtare me një afat kohor prej 20 - 30 minutash. çdo qoshe e këtij vendi do të lidhet me kryeqytetin e tij me një afat kohor, së paku, edhe një herë më të shkurt se sa ç’lidhet sot. Ne operojmë në këtë mënyrë, me modernizimin tërësor të rrjetit rrugor, por u kursejmë qytetarëve shqiptarë së paku gjysmën e kohës që atyre u merr transporti dhe ua vëmë në dispozicion për të gjitha problemet e tjera. Evropa, dhe më gjerë, sërish përballet me krizën dhe pasojat e saj. Natyrisht, në mënyrë të padiskutueshme, ato pasqyrohen edhe në ekonominë shqiptare, e cila është një ekonomi globale. Por nga ana tjetër, kjo ekonomi qëndron sot më mirë se çdo ekonomi tjetër në rajon dhe në Evropë. Unë nuk di ndonjë vend tjetër që të ketë trefishuar eksportet “Made in Albania” siç i ka trefishuar Shqipëria gjatë këtyre 5 muajve të parë të këtij viti; nuk di ndonjë vend tjetër ku regjistrimi i bizneseve të reja të jetë rritur me 30 për qind këtë vit, krahasuar me vitin tjetër; nuk ka ndonjë sistem tjetër bankar ku depozitat të jenë rritur me 14 për qind këtë vit, krahasuar me vitin e kaluar. Pra vështirësitë sigurisht që pasqyrohen, por ekonomia shqiptare reziston, sepse ajo nuk është e bazuar në flluska, por është e bazuar kryekëput në mundin, djersën, përkushtimin tuaj, të dashur qytetarë. Ajo është e bazuar në parime të shëndosha, siç do të thoshte një dokument themelor i Bashkimit Evropian: Shqipëria rritjen e ka të bazuar në investime. Pra e ka të bazuar në lumenjtë e djersës, në projektet, në përkushtimin dhe në shtyllën kryesore të zhvillimit të vendit. Shqipëria është e vendosur të mbajë ritmin më të lartë të investimeve në Evropë, sepse ka nevojë jetike për tu ndërtuar dhe rindërtuar. Ndërkohë, ju garantoj ju pensionistëve të Bërxullit dhe të mbarë Shqipërisë, si dhe punonjësit e administratës, se këtë vit do të kenë sërish rritjen më të madhe të rrogave dhe pensioneve nga ç’kanë njohur më parë.
...