Balla: Qeveria, asgjë për fëmijët jetimë
Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, zhvilloi një takim me nëna që rrisin të vetme fëmijët e tyre jetimë. Balla shprehu shqetësimin se sot, në përfundim të mandatit të saj 4-vjeçar, qeveria nuk ka bërë asnjë përpjekje për t‘u dhënë mbështetje edhe këtyre fëmijëve që jetojnë vetëm me njërin prej prindërve. Balla kujtoi se ende fle, që nga fillimi i vitit 2007, në sirtarët e Kuvendit, një projektligj i depozituar nga këto nëna, por që mazhoranca nuk e ka përfillur. Kjo sipas tij, do të ndryshojë me qeverinë e dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit. Deputeti i PS-së u shpreh më tej se qeveria e ardhshme do bëjë ligje në bashkëpunim me grupet e interesit dhe premtoi se socialistët do të kalojnë në Kuvendin e ri projektligje nga të cilat do të përfitojë edhe kjo pjesë e nëpërkëmbur e shoqërisë: "Fëmijët tuaj janë dy herë jetimë, janë jetimë pa baba, po edhe për shkak të indiferencës së shtetit", u shpreh ai.