E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poni: Rama abuzon në mënyrë kriminale me ligjin



Kreu i këshilltarëve të Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Ferdinand Poni, reagoi dje pas përplasjes së fundit mes forcave të rendit dhe Policisë Bashkiake për tokën në qendër të Tiranës. Sipas Ponit, toka në qendër të Tiranës i përket shtetit dhe në atë sipërfaqe nuk është dhënë dhe nuk do të jepet leje ndërtimi. Sipas tij, përplasja po nxitet nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, për interesa të ngushta. Poni akuzoi rëndë kreun e Bashkisë të Tiranës, duke deklaruar se Rama abuzon në mënyrë kriminale me ligjin. “Asgjë nuk mund t’i kthejë ekuilibrin mendor Ramës. Asgjë s’mund ta shpëtojë atë nga përgjegjësia shumë e madhe e thyerjes në mënyrë të përsëritur, abuzive dhe kriminale të ligjit; përdorimit dhe kthimit të gjithë administratës së Bashkisë së Tiranës në interes dhe përdorim të këtyre grupeve të interesit. Policia Bashkiake e Tiranës dhe Inspektorati Ndërtimor i saj janë as më shumë dhe as më pak veçse vegla qorre dhe të bindura të interesave korruptive apo abuzive dhe kriminale”, - deklaroi Poni në një konferencë për shtyp. Ai më tej shpjegoi statusin e pronës në qendër të Tiranës, duke thënë si ajo i përket shtetit. Sipas kreut të këshilltarëve të djathtë, në atë sipërfaqe në qendër të kryeqytetit nuk është dhënë leje ndërtimi dhe nuk do të jepet asnjë e tillë, pasi ajo do të kthehet në një lulishte për qytetarët e kryeqytetit dhe jo në një pallat. “E kanë kthyer atë në shërbim të interesave të grupeve të ndryshme të ndërtimit që nuk ndalen para asgjëje, as nga fakti që nuk e kanë pronësinë mbi tokën. Toka është pronë publike, pronë shtetërore; as nga fakti që në mënyrë të paturpshme aty thuhet se ka leje ndërtimi kur aty asnjëherë nuk ka pasur një të tillë”, - tha më tej Poni.

Nga ana tjetër, Bashkia e Tiranës ka kallëzuar penalisht Policinë e Shtetit dhe Inspektoratin Kombëtar të Ndërtimit. Deputeti i zgjedhur i PS-së dhe ish-nënkryetari i bashkisë, Eduard Shalsi, akuzoi qeverinë për këtë përplasje. “Kjo dhunë bëhet për t'i detyruar pronarët e ligjshëm që të lidhin kontrata me sekserët e Sali Berishës, të cilët janë lëshuar si hiena kudo. Është e patolerueshme, e papranueshme, që këto gjëra të ndodhin në mes të ditës, në mes të Tiranës”, - deklaroi Shalsi.

Vetëm dy ditë më parë policia ndërhyri në sheshin pranë “Rrugës së Kavajës” dhe “Rrugës së Durrësit”, duke e përgatitur sheshin për një lulishte. Bashkia pretendoi se toka është private dhe se atje është dhënë leje ndërtimi. Nga ana e saj, Ministria e Transportit e cilësoi këtë deklaratë si jo të vërtetë dhe se toka i përket shtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›