E Diel, 1 Nëntor 2026

Partisë Socialiste do të diskutojë sot në lidhje me ecurinë e deritanishme të procesit të reformës zgjedhore

Ndër pikat e rendit të ditës, Kryesia e PS-së do të ketë edhe ecurinë e deritanishme të reformës
TIRANË- Partisë Socialiste do të diskutojë sot në lidhje me ecurinë e deritanishme të procesit të reformës zgjedhore. Nisur nga acarimi i debatit politikë për këtë çështje, selia rozë do të thërrasë sot në Kurbin, mbledhjen e radhës së kryesisë së saj, për të diskutuar mbi ecurinë e këtij procesi, por për të marrë natyrisht dhe vendimet përkatëse në lidhje me qëndrimet që do të mbajë ditët në vijim. Kështu, burime pranë Partisë Socialiste bënë të ditur se, reforma në sistemin elektoral do të jetë dhe pika kryesore e rendit të ditës së mbledhjes së sotme të këtij forumi. Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, do të bëj një pasqyrim të të gjithë diskutimeve që janë bërë, qoftë me specialistët brenda partisë, por edhe gjatë takimeve që janë zhvilluar me përfaqësuesit e ODIHR-it, të kryesuar nga Vulçanov, gati dy javë më parë. Siç mësohet nga të njëjtat burime, Islami pritet të deklarojë dhe piketat kryesore të qëndrimit të PS-së për këtë çështje, siç është sistemi, listat e deputetëve, pragu etj. Përsa i përket çështjes së sistemit, duket se PS e ka përcaktuar qëndrimin e saj pro modelit spanjoll, i cili parashikon një proporcional-rajonal. Një tjetër çështje e përcaktuar në rendin e ditës së mbledhjes së sotme, është edhe diskutimi në lidhje me tryezat për bujqësinë, që po zhvillohen në kuadër të "Dialogut me Shqipërinë". Për këtë pritet të raportojë vetë kryetari i PS-së, Edi Rama, si dhe Sekretari Organizativ, Blendi Klosi, si dhe ai i Programit Politik, Andis Harasani. Gjithashtu pjesë e diskutimeve të mbledhjes së sotme, do të jetë dhe marrja në shqyrtim i ecurisë së deritanishme të zgjedhjeve në parti. Ndërkohë që kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj pritet të prezantojë dhe të kërkojë miratimin e kryesisë për axhendën e veprimtarisë së grupit. Takimi i sotëm në Kurbin, shënon mbledhjen e katërt të kryesisë që Partia Socialiste zhvillon jashtë Tiranës. Më parë ajo është mbledhur në Burrel, Lushnjë dhe Fier.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›