PR: Çdo përpjekje e Ramës për të mosnjohur rezultatin dëmton imazhin e vendit

Partia Republikane i ka konsideruar sot deklaratat e përsëritura të Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama për mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit, si përpjekje që dëmtojnë drejtpërdrejt imazhin e vendit. Nënkryetari i Partisë Republikane Aleksandër Garuli tha gjatë një konference për shtyp në selinë e PR-së se “çdo përpjekje e Ramës për të përbaltur zgjedhjet e 28 Qershorit , dëmton drejtpërdrejt imazhin e vendit dhe fyen qytetarinë me të cilën shqiptarët realizuan këto zgjedhje”. Garuli theksoi se “ lideri i PS-së, ka filluar një lojë politike për kontestime të pabazuara në ligj edhe në ato zona , ku shumica e komisionerëve kanë qenë të PS-së , vetëm për të krijuar kaos dhe për të mos vënë para përgjegjësisë shkaktarët që i sollën humbjen”. Ai tha se “ Rezultati i këtyre zgjedhjeve shpreh qartë se të drejtën kushtetuese për të krijuar qeverinë, elektorati shqiptar ia ka dhënë koalicionit “ Aleanca për Ndryshim” me diferencë të patjetërsueshme nga koalicioni i Partisë Socialiste” duke shtuar se “pranimi i humbjes reale do t’i shërbente vetë Partisë Socialiste , duke i dhënë asaj statusin e një opozite konstruktive”.
...