E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis në Durrës edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit

Festivali Ndërkombëtar i Filmit (International Summerfest Film ’09-ISF) në Durrës do të zhvillohet nga 22-30 gusht të këtij viti. Bashkë me filmat konkurues nga vende të ndryshme të Evropës dhe Ballkanit një vend i veçantë në këtë edicion i është lënë kinemasë bashkëkohore italiane. Lajmin e ka bërë të ditur Anila Varfi, drejtore e këtij festivali, e cila shtoi se edhe në edicionin e dytë të kësaj veprimtarie Festivali synon vendosjen e urave të forta të komunikimit artistik mes Shqipërisë dhe vendeve fqinje si dhe vendeve të tjera të Evropës. Festivali zhvillohet me mbështetjen e Bashkisë së Durrësit. Pranë grupit të seleksionuesve tashmë kanë mbërritur të gjithë filmat që synojnë konkurimin në Festivalin Ndërkombëtar Veror të Durrësit. Znj. Varfi tha se prej disa ditësh ka nisur përzgjedhja zyrtare dhe janë përvijuar tre seksionet kryesore të Festivalit. Në seksionin konkurues "Vizione bashkëkohore" do të shfaqen 14 filma, produksione të vendeve të Bashkimit Evropian dhe po kaq filma nga vendet e gadishullit tonë do të projektohen në seksionin "Bota Ballkanike". “Tre nga filmat më të mirë të sezonit 2008-2009 pavarsisht nga origjina e prodhimit të krijimtarisë do të shfaqen jashtë konkurimit,"-tha Varfi.

Edicioni i dytë i Festivalit do të nisë traditën e përvitshme të njohjes së kinemasë së një vendi evropian përmes krijimtarisë kinematografike të tre viteve të fundit. Znj. Varfi tha se në mbrëmjet e organizuara në amfiteatrin antik dhe në sallën e teatrit "Aleksandër Moisiu" do të shfaqen disa nga filmat më të mirë të regjisorëve të shquar bashkëkohorë italianë si: Pupi Avati, Dario Argento, etj. "Statueta e "Gladiatorit të Artë" edhe këtë vit do ti jepet filmit më të mirë konkurues, ndërsa regjisori më i mirë do të marrë Çmimin Special të Jurisë. Anila Varfi u shpreh se Juria e seksioneve konkuruese do të ketë pesë anëtarë, që të gjithë personalitete të botës së kulturës dhe kinemasë në veçanti. Juria do të përcaktojë edhe Aktorin dhe Aktoren më të mirë të edicionit të dytë të këtij festivali, si dhe Filmin më të mirë Ballkanik. Në këtë edicion do të ketë edhe një Statuetë të dytë "Gladiatori i Artë", e cila do ti jepet për karrierën dhe krijimtarinë njërit prej kineastëve më të famshëm të botës. Gjithçka do të realizohet në një ceremoni të organizuar në arenën e amfitetrit antik të Durrësit. Një juri tjetër do të funksionojë brenda festivalit. Një grup gazetarësh shqiptarë të kryesuar nga njëri prej kritikëve të shquar të kinematografisë botërore do të përzgjedhë në seksionin "Vizone bashkëkohore" filmin që ka shfrytëzuar më mirë instrumentet dhe teknologjinë kinematografike për të rrëfyer subjektin. "Filmi i përzgjedhur nga gazetarët do të shpallet "Filmi i Kritikës","-tha Varfi. Një nga të veçantat e këtij edicioni do të jetë hapësira kushtuar muzikës filmike. Tingujt muzikorë që i japin jetë imazhit kinematografik do të jenë në qendër të një programi special, që do të drejtohet nga një kompozitor i njohur i filmit. Një vit më parë nën duartrokitjet e gjata të publikut çmimi i madh "Gladiatori i artë" iu dha regjisorit çek Jiri Menzel për filmin "Unë i shërbeva mbretit të Anglisë".Çmimin special të jurisë e fitoi filmi norvegjez me temë Shqiptare "Mirush". Cmimi për filmin më të mirë kombëtar e fitoi filmi "Koha e kometës" me regji të Fatmir Kocit. Cmimi i karrierës në fushën e regjisurës iu dha regjisores Xhanfise Keko, (pas vdekjes), autore e 12 filmave. Çmimi i karrierës për kontributin e dhënë si aktor iu dha aktorit Sandër Prosi (pas vdekjes). Çmimin si aktorja e më e mirë e fitoi protagonistja e filmit grek me temë Shqiptare "Correction" Ornela Kapetani.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›