Tre projekte punësimi në Korçë për të zbutur këtë problem social
Zyra rajonale e Punës në Korçë, është duke zbatuar tre projekte punësimi për zbutjen e këtij problemi social sidomos tek femrat dhe studentët e sapo diplomuar. Punësimi i femrave, në industrinë e konfeksioneve, është një ndër projektet kryesore që po ndjek prej 3 vitesh Zyra e Punës në Korçë, duke aritur që të sigurojë vende pune për një numur të konsiderueshëm punëkërkuesesh. " Projektet tona të punësimit, kanë më shumë prioritet gratë në nevojë, dhe për këtë po zbatohet prej 3 vitesh një projekt i punësimit të tyre kryesisht në sektorin privat të konfeksioneve",- tha drejtori i Zyrës rajonale të punës në Korçë Marsel Sulçe. Ai shton se nga ky projekt janë siguruar 230 vende pune për femra në sektorin e prodhimit të konfeksioneve, një nga më aktivët në qytetin e Korçës. Një tjetër projekt punësimi i zbatuar nga Zyra rajonale e punës në Korçë, është ai për studentët. Sulçe thotë se po kryhen praktika për 57 studentë, që ata të kenë mundësinë e punësimit në arsim, shëndetësi etj.
"Këto praktika që zbatohen me studentët, krijojnë jo vetëm shanset e punësimit të tyre, por shtojnë edhe kualifikimin e tyre në kategori më të larta, duke i dhënë përparësi kësaj kategorie punëkërkuesish në gjetjen e vendeve të punës",- theksoi Sulçe. Projekti i tretë që po zbaton Zyra rajonale e punës në Korçë, është drejtuar në sektorin privat të ndërtimit, ku gjithashtu një numur i konsiderueshëm punëkërkuesish kanë siguruar vende pune sezonale apo gjithëvjetore.
...