E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapet hyrja kryesore e automjeteve në portin e Durrësit pas disa dekadash mbyllje

Hyrja kryesore e portit detar të Durrësit është hapur këto ditë për automjetet pas disa dekadash bllokimi. Projekti prej 140 milion lekë, i financuar nga Autoriteti Portual ka mundësuar rifillimin e lëvizjes së automjeteve në hyrjen tradicionale, që nis nga sheshi Liria dhe vijon me Rrugën tregtare drejt portit më të madh te vendit. Autoveturat dhe mjetet e lehta motorrike të pajisura me leje hyrjeje elektronike që vijnë nga Rruga Tregtare, rruga Skenderbej dhe ajo Taulantia, kanë në dispozicion dy korsi hyrjeje në mjediset e pjesës administrative të portit, e cila është rindërtuar plotësisht dhe është pajisur me sheshe të gjëra parkimi, falë projektit të realizuar. Brenda të njejtit projekt është rikonceptuar edhe porta nr 2 e portit detar pranë Bankës Tregtare, në të cilën mundësohet dalja e të gjitha automjeteve të tonazhit të lehtë. Hyrja kryesore e portit të Durrësit ka mbetur e bllokuar për disa dhjetvjeçarë radhazi. Ajo ka shërbyer vetëm për lëvizjen e këmbësorëve, punonjës të portit apo të sektorëve të tjerë brenda këtij territori. Në vitet 1960-1980 ajo shfrytëzohej nga autoveturat vetëm në rastet e vizitave të delegacioneve shtetërore të nivelit të lartë, ndërsa në vitet e para të tranzicionit ajo mbeti e mbyllur për automjetet për shkak të tentativave të eksodit me anije drejt Italisë. Në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të kaluar territori i portit detar dhe hyrja kryesore e tij u vunë disa herë nën ruajtjen e forcave të policisë, të gardës dhe të forcave speciale të ushtrisë, por ndërsa gjendja nisi të normalizohej vit pas viti në të gjithë rrethimin portual, hyrja kryesore mbeti e pandryshuar. Ajo përdorej vetëm nga kalimtarët. Investimi i ri ka mundësuar rritjen e sigurisë dhe monitorimin e të gjithë hapësirës portuale, mes të cilave edhe në hyrjen kryesore tradicionale portuale ku bashkë me kalimtarët mund të hyjnë edhe automjetet. Pjesa tradiconale e portit është pjesë e projekteve të Autoritetit Portual. Brenda këtij viti drejtoria e Autoritetit Portual synon të rikthejë në gjendjen e tyre të parë fasadat e godinave të ndërtuara në kompleksin hyrës të portit në fund të viteve 1920, si dhe të godinave të tjera të ndërtuara pas viteve 1960. 2009 ka qenë një vit transforimesh të mëdha e të rëndësishme për portin detar të Durrësit. Investimet në infrastrukturë po e kthejnë atë në një nga portet moderne të Mesdheut, i cili synon të përpunojë 12 milion ton mallra në vit, ose tre herë më shumë se sa kapacitetet aktuale vjetore të përpunimit si dhe mbi 1 milion udhëtarë me tragete.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›