PR-ja feston 18-të vjetorin e krijimit

PR-ja feston 18-të vjetorin e krijimit të saj. Të pranishëm në ceremoni ishin kryeministri Sali Berisha, presidenti i nderit i PR-së, Sabri Godo ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo si dhe zyrtarë e politikanë të tjerë . Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu u shpreh krenar për sukseset e arritura nga kjo parti duke e quajtur atë si partinë e vlerave të së ardhmes. "Partia Republikane është partia e njerëzve të mirë, që di të ruajë vlerat për një shoqëri dhe politikë të shëndoshë", u shpreh Fatmir Mediu. Sipas kreut të PR-së, republikanët kanë detyrime për realizimin e të ardhmes më të mirë të shqiptarëve. Ai vlerësoi se marrja e ftesës për në NATO është realizimi i ëndrrës së shqiptarëve dhe se nuk do jetë e largët dita për të qenë pjesë e BE-së. " Jemi të shqetësuar për të rritur standardet e jetës së shqiptarëve", u shpreh Mediu. Në fund të fjalës së tij, kreu i PR-së uroi të djathtën shqiptare që të fitojë zgjedhjet e ardhshme. "Qëllimi ynë është që të kemi një përfaqësi sa më të mire të partisë në zgjedhje, por edhe që e djathta në tërësi të fitojë bindshëm zgjedhjet e 2009-ës", përfundoi Fatmir Mediu. Ceremonia nuk u përshëndet as nga kryeministri Berisha dhe as nga presidenti i nderit i PR-së, Sabri Godo.