E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria i dërgon letër Edi Ramës: "Dështove për Unazën e Madhe"

/>Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, i kërkon bashkisë projektin dhe premton nisjen menjëherë të punimeve
Një garë e madhe ka nisur në Tiranë: Kush do ta ndërtojë Unazën e Madhe? Dje Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi i ka nisur një letër kryebashkiakut Rama ku i përsërit zyrtarisht kërkesën për ndërtimin e kësaj vepre të infrastrukturës së Tiranës. Këmbëngulja e Olldashit në strategjinë që qeveria të ndërtojë vetë Unazën e Madhe, duket se ka sjellë një konfikt të ri qeveri-bashki, kësaj rradhe i ndryshëm nga ai i shkatërrimit të mbikalimit të Zogut të Zi, sepse kërkohet, të paktën me deklarata, ndërtimi i i një rruge strategjike për Tiranën.  Këtë herë dy institucionet janë përplasur për projektin e Unazës se Madhe të kryeqytetit. Nëpërmjet një letre drejtuar kryebashkiakut Edi Rama, Ministria e Transporteve i ka kërkuar Bashkisë së Tiranës projektin e Unazës se Madhe për të filluar ndërtimin e saj me fonde të buxhetit të shtetit. Në këtë letër ministri transporteve Sokol Olldashi arsyeton se bashkia ka dështuar në zbatimin e këtij projekti duke kërkuar që zbatimi i tij t'i kalojë qeverisë. "Duke vlerësuar rëndësinë e jashtëzakonshme që ka për kryeqytetin ndërtimi i këtij aksi, duke vlerësuar dhe se pamundësia juaj për të realizuar këtë projekt nuk është arsye e mjaftueshme për të mbajtur peng qytetarët e Tiranës, ju kërkojmë të na vini në dispozicion projektin e Unazës së Madhe në mënyrë që MPPTT me fonde të buxhetit të shtetit, të fillojë menjëherë ndërtimin e saj"- thuhet në letrën drejtuar bashkisë së kryeqytetit. Konflikti nisi pak ditë me parë kur kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e qeverisë shpalli fillimin e punës për Unazën e Madhe, ndërkohë që bashkia reagoi duke thënë se ky ishte një projekt që do të realizohej nga ajo vetë dhe jo nga qeveria. Ndërkaq kryeministri Berisha e paralajmëroi këtë lëvizje disa ditë më parë kur deklaroi se "Qeveria do të bëjë menjëherë disponibël fondin e shpronësimit për Unazën e Madhe të Tiranës, dhe në rast se Bashkia nuk do të ketë financime për ndërtimin e saj, atëherë ajo do të ndërtohet nga buxheti i shtetit". Këtë deklaratë berisha e bëri në mbledhjen e planifikimit të strategjive, ku udhëzoi ministrinë e Transporteve të hapë tenderin për ndërtimin e unazës Tiranës, ndërsa deklaroi se bashkia e Tiranës është institucion i pabesueshëm për kredi pasi mbledhja e taksave prej saj është në gjendje të mjerueshme. Berisha garantoi se qeveria e tij do të akordojë fondin e nevojshëm për shpronësimin. Nga një parashikim paraprak sipas Bashkisë së Tiranës, ndërtimi i Unazës së madhe koston minimalisht 300 milionë euro.Qeveria do të ndërtojë unazën e madhe të Tiranës, në rast se bashkia dështon në sigurimin e kredisë, për shkak të performancës së saj të mjerueshme fiskale. Sipas Berishës, Unaza e Madhe e Tiranës është një domosdoshmëri për qytetin. Ai tha se Bashkisë së Tiranës do t'i ofrohet mundësia për shpronësimin. Shanset e bashkisë për tu bërë e zgjedhëshme për kredi janë minimale, pasi performanca e saj fiskale është e mjerueshme, megjithëse, tha Berisha,- informohem se ka një Departament për mbledhjen e taksave prej 300 punonjësish, aq sa edhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në Shqipëri. Sipas kësaj performance, llogaritet që ajo të mund ta shlyejë një kredi minimalisht në 125 vjet. Nuk ka institucion bankar dhe institucion financiar që të mund të ofrojë kredi me një afat mbi një shekullor. Ndonëse ne e bëmë ligjin e kredimarrjes së pushtetit vendor, shanset për t'iu akorduar kredia direkt është i pashpresë, tha Berisha. Megjithatë, konform premtimit të dhënë për shpronësimin, duhet të bëjmë menjëherë disponibël fondin e shpronësimit, -premtoi ai. "Sikundër, në rast se bashkia, e cila, sipas vlerësimeve të deritanishme, nuk është e përshtatshme për tu kredituar, pasi nuk jep garanci për faktin e përmendur më sipër, atëherë do ta ndërtojë qeveria. Ministria e Punëve Publike do të marrë përsipër detyrimin sa më të shpejtë për këtë dhe fillimin e punës"- u shpreh Kryeministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›