E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrolli i Shtetit, gati raporti në Kuvend

/>Pritet që në sesionin e ri të raportojnë institucionet kushtetuese
Raporti i Kontrollit të lartë të Shtetit do të paraqitet në Kuvend në sesionin e ri parlamentar, ndërkohë që pritet të bëhet i ditur vetëm kalendari i punimeve. Sesioni i ri parlamentar që do të nisë më 19 janar të hënën e ardhshme përfshin në kalendarin e punimeve dhe raportimin vjetor të organeve kushtetuese dhe institucioneve kryesore në varësi të Kuvendit, lidhur me veprimtarinë e tyre përgjatë vitit 2008. Sipas burimeve nga Kuvendi, raportimi i përvitshëm i këtyre institucioneve pritet të nisë në fund të muajit janar dhe të përfundojë brenda muajit prill. Miratimi gjatë javës së ardhshme i programit tremujor të punës së Kuvendit nga Konferenca e Kryetarëve, do të përfshijë dhe grafikun e raportimit në parlament të institucioneve kushtetuese dhe atyre që varen nga organi legjislativ më i rëndësishëm në vend. Fillimisht, këto raporte paraqiten para komisioneve parlamentare dhe më pas debatohen në seancë plenare, ku parlamenti miraton dhe një rezolutë për punën e çdo institucioni. Kështu, në javët në vazhdim, do të raportojnë në Kuvend, drejtues të Komisionit të Shërbimit Civil, të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Avokati i Popullit, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Këshilli Kombëtar i Radiotelevizionit etj. Cikli i raportimeve të përvitshme në Kuvend do të mbyllet rreth fundit të muajit prill, pasi sesioni parlamentar që do të nisë pas një jave është i fundit për këtë Legjislaturë, për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen këtë vit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›