E Shtunë, 31 Tetor 2026

PR-ja publikon listën e kandidatëve për qytetin e Lushnjës

Republikanët bëjnë publike listën e kandidatëve me të cilën do të përfaqësohen në qytetin e Lushnjës. Një nga surprizat e Partisë Republikane është kandidimi i kryetarit të kësaj partie, Fatmir Mediu, në të 12 qarqet. Tashmë aleatët e djathtë të Partisë Demokratike e kanë përfunduar listën me kandidatët për deputetë, me të cilët do të përfaqësohen në zgjedhjet e 28 qershorit.

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i shoqëruar nga anëtarë të tjerë të kryesisë së kësaj force, morën pjesë në një takim me anëtarë të PR-së së qytetit të Lushnjës. Në takim u prezantuan kandidatët për deputet të Partisë Republikane, për qytetin e Lushnjës.

Në fjalën e tij, Mediu, theksoi se Partia Republikane ka qenë dhe është një parti, e cila ka ngritur zërin që prona të shkojë tek i zoti. "Është një parti për familjen, një parti që ka mbrojtur vlerat e saj, një parti e cila që në fillimet e saj në program ka pasur kombin", tha ai.

Më tej, kreu i Partisë Republikane vlerësoi arritjet që ka bërë qeveria e koalicionit të djathë, të cilat sot janë të prekshme nga të gjithë shqiptarët, pasi kjo qeveri për katër vjet kohë, ka realizuar me sukses disa nga pikat kryesore të programit të saj dhe ka nevojë për një mandat të dytë, në mënyrë që t‘i finalizojë të gjitha.

"Ky është një moment i jashtëzakonshëm, është padyshim mrekullia e lirisë, liri të cilën e kemi kërkuar për vite! E kemi kërkuar për pavarësinë tonë në radhë të parë, liri për të cilën janë sakrifikuar breza të tërë; të persekutuar, ish-pronarë, shqiptarë të lirë që nuk u pajtuan asnjë moment, por që kërkuan Shqipërinë në Evropë, Shqipërinë në NATO", përfundoi kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu.

Në këtë takim përshëndetën edhe anëtarë të tjerë të Kryesisë së Parisë Republikane. Në fjalën e tyre ata thanë edhe një herë se Partia Republikane është partia e njerëzve të mirë, një parti e cila vlerëson moralitetin dhe nevojat sociale të shoqërisë shqiptare. "Ne jemi pjesë e një koalicioni të suksesshëm dhe i kemi vënë vetes disa qëllime kryesore, siç është arritja e standardeve të larta në zgjedhjet e ardhshme, të cilat duhet dhe do të jenë të lira e transparente. Ne jemi të sigurt se këto zgjedhje do të na sigurojnë një mandat të dytë dhe në këtë mënyrë, fitoren e Partisë Republikane", tha Mediu. Sipas kryetarit të PR-së, zgjedhjet e 28 qershorit do të tregojnë edhe një herë besimin e shqiptarëve te koalicioni i djathtë dhe punën që kjo qeveri ka bërë në këto katër vjet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›