Reali i Madridit ka një ide: Ronaldinjo
Reali i Madridit hedh "grepat" nga Ronaldinjo. Ish-"Lojtari më i Mirë në Botë" po kalon një moment të keq në kampionatin italian, duke vuajtur mungesën e hapësirave te Milani. Nga grumbullimi me Kombëtaren në Brazil ai u shpreh qartë: "Në fund të kampionatit do të zhvilloj një bisedë me drejtuesit e klubit. Nuk ka qenë një sezon i mirë për mua, por jam një futbollist profesionist dhe dua të ndihmoj klubin që të fitojë trofe. Nuk do të spekuloj rreth së ardhmes time deri në fund të sezonit". E përditshmja spanjolle "Sport" citonte burime pranë vëllait-menaxher të lojtarit, Roberto de Asis, të cilat konfirmonin se Ronaldinjo kërkon të ndryshojë skuadër, por synon një klub të njohur në arenën ndërkombëtare. Mançester Siti nuk e ka fshehur interesin për fantazistin, gjithsesi transferimi te skuadra e sheikëve duket e pamundur për t‘u realizuar. Nga ftohja e marrëdhënieve të Dinjos me Milanin mund të përfitojë Florentino Perez, emërimi i të cilit si president i Realit është pothuajse i sigurt. Në mandatin e mëparshëm në "Santiago Bernabeu", ai afroi yje si Ronaldo dhe Luis Figo, që në të kaluarën ishin përfaqësuar me fanellën e rivalëve historikë të Barcelonës. Gjithsesi, fjalën e fundit do ta ketë Roberto de Asis, që për momentin këmbëngul se "janë të shumta klubet që kërkojnë Ronaldinjon, por gjithçka do të varet nga Milani".