E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi: PS-ja është një politikë pa krye

Partia Demokratike ka nisur zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit. Deputetët dhe ministrat kanë filluar tashmë të përcaktojnë paraprakisht zonat e influencës për të kërkuar një mandat tjetër në Kuvend. Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, zhvilloi dje një takim me banorët e Komunës Baldushk në Tiranë. I shoqëruar nga deputeti dhe zëdhënësi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, dhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Gent Strazimiri, ai u ndal në punën katërvjeçare të qeverisë "Berisha".

Sulmi ndaj opozitës

Për kampin blu nisin ethet për zgjedhjet elektorale, duke filluar me akuzat ndaj opozitës. Një prej ministrave të kabinetit "Berisha", Sokol Olldashi, nga Komuna Baldushk theksoi se "kemi një PS me një politikë pa krye, me një politikë që bazohet mbi baltosjen dhe gënjeshtrat që arrijnë deri në marrëzi. Një PS të përfaqësuar nga një kryetar, që prej kohësh thotë përtej së majtës dhe të djathtës, por që vetëm mashtron opinionin publik dhe gjithçka e ka bazuar te korrupsioni dhe nihilizmi".

Premtimet

"Thamë se do të luftojmë krimin. Vetëm në tre vjet kemi asgjësuar 206 grupe të strukturuara të krimit të organizuar dhe kemi dërguar para drejtësisë 955 kriminelë", theksoi ministri Olldashi. "Premtuam se do ta luftojmë pa kompromis korrupsionin. Çdo qershor, përgjatë tre viteve, në Parlament është miratuar një buxhet i dytë shtesë dhe janë tre miliardë dollarë të kursyera", shtoi ai. Duke u ndalur tek investimet publike, e më konkretisht te shkollat, ministri Olldashi tha se "në tre vjet kemi ndërtuar 906 shkolla, që do të thotë se përgjatë tre viteve kemi ndërtuar çdo ditë një shkollë të re".

Sipas Olldashit, "dyfishimi i pensioneve të vogla në fshat, dyfishimi i rrogave të mësuesve dhe infermierëve, bëjnë që çdo drejtues i Partisë Demokratike të dalë ballëhapur para zgjedhësve dhe të kërkojë sërish votën e tyre më 28 qershor". Ministri Olldashi shtoi se brenda një viti, Shqipëria arriti të bindë 26 vendet më të fuqishme të globit se e meritojmë NATO-n. Zëvendësministri i Brendshëm, Gent Strazimiri, vlerësoi kontributin dhe besimin e shndërruar në vota që ata patën te Partia Demokratike. "Votuat programin për reformat në vitin 2005 dhe 2007. Për shkak të këtyre reformave, ne ulemi sot si të barabartë me kombet më të përparuara të globit në tryezën e NATO-s", tha Strazimiri.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›