E Shtunë, 31 Tetor 2026

PR kërkon përfaqësim në qeveri, në këmbim të kontributit për fitore

Mediu: PD ka marrë 4 mandate më shumë, me votat e PR
Partia Republikane përsërit kërkesën e saj për pjesëmarrjen në qeverinë e re, në bazë të kontributit që ka dhënë tek Partia Demokratike, duke shprehur bindjen se ka ndihmuar në fitoren e tre mandateve për Aleancën e Ndryshimit në zgjedhjet e 28 qershorit, të udhëhequr nga Partia Demokratike. Dhe për këtë arsye, kërkesa e saj për përfaqësim në qeveri, nuk do të kushtëzohet aspak nga fakti që arriti të sigurojë vetëm një vend në Parlament. Një ditë më parë presidenti i Asamblesë së PR-së, Sabri Godo deklaroi se ndonëse republikanët kanë arritur të marrin vetëm një mandat për deputet në zgjedhjet e qershorit, ata përsëri do të kërkojnë të përfaqësohen me një ministri dhe dy zëvendësministra ashtu siç kanë qenë. Ruajta e të njëjtit nivel përfaqësimi sipas tij lidhet me faktin se si pasojë e sistemit PR ishte tkurrur dhe madje kishte ndikuar edhe në shtimin e mandateve të Partisë Demokratike. Partia Republikane ka bërë ditën e djeshme analizën e saj të parë dhe rezultati kryesor është përfshirja në parlament me kryetarin e saj Fatmir Mediu. Partia Republikane ka garantuar pjesëmarrje në kuvend, por me votat e PR-së, Partia Demokratike ka marrë 4 mandate më shumë. PR do të jetë në qeveri sipas kontributit që ka dhënë për deputetët, që ka marrë Aleanca e Ndryshimit. Partia Republikane vendos për çdo gjë në mënyrë institucionale, nuk kemi diskutuar asnjë gjë për këtë çështje. Çdo vendim për pjesëmarrjen e PR do të kalojë nëpërmjet forumeve të PR, ka deklaruar Mediu. Me këtë llogari, që rrit peshën e saj, Partia Republikane duket se po shkon drejt kërkesës për një portofol ministror edhe pse Mediu nuk e pranoi drejtpërsëdrejti. Sipas tij, PR  do të jetë në qeveri, sipas kontributit të dhënë. Për vet republikanët rezultati i zgjedhjeve të 28 qershorit është i kënaqshëm, pavarësisht atyre që Mediu i cilësoi pengesa jo vetëm të kodit elektoral, por edhe pengesa nga drejtuesit kryesorë të Partisë Demokratike. Ai tha se tashmë PR rezulton dukshëm si forca e dytë më e madhe e maxhorancës, ndërsa akuzoi drejtues të lartë të PD-së për diversion kundër kësaj partie gjate fushatës elektorale, aktivitetet e së cilës sipas tij patën efektet e veta, duke iu referuar në këtë këndvështrim deklaratës së nënkryetares Jozefina Topalli në Postribë. Përveç zotit Berisha, ishin të paprecedente dhe të turpshme thirrjet e disa drejtuesve demokratë drejtuar elektoratit për të mos votuar Partinë Republikane, u shpreh Mediu. Nëpërmjet një konference për shtyp, Mediu i vlerësoi zgjedhjet e 28 Qershorit një test të suksesshëm dhe të rëndësishëm në avancimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Partia Republikane sipas tij rikonfirmoi edhe njëherë në këto zgjedhje se është partia e dytë e së djathtës shqiptare dhe një faktor i rëndësishëm i fitores në këto zgjedhje i koalicionit Aleanca për Ndryshim. Aleanca jonë kryesore ka qenë dhe do të mbetet me Partinë Demokratike, por që të mbetemi të tillë në marrëdhënie dhe qëllime të përbashkëta në interes të vendit, mendoj se ka shumë për të parë në marrëdhëniet dhe detyrimet reciproke ndërmjet dy partive, nënvizoi ai. Kryetari republikan vlerësoi koalicionin e "Aleancës për Ndryshim" me LSI-në, duke u e konsideruar këtë koalicion faktor kryesor në shërbimin e interesave të vendit dhe integrimit në Bashkimin Europian. Ndërsa në lidhje me pretendimet e kësaj partie për mandatin e humbur në qarkun e Beratit, Mediu u shpreh se PR do të vazhdojë betejën e saj ligjore për mandatin e qarkut të Beratit, si detyrim ligjor ndaj beratasve që kanë votuar PR-në.
Sabri Godo: Do të kërkojmë rishikimin e Kodit Zgjedhor  
Partia Republikane kërkoi rishikimin e kodit zgjedhor, pasi sipas tyre kodi favorizon partitë e mëdha, duke u dhënë atyre mandate nga votat e partive të tjera brenda koalicionit. Një fakt i tillë është konfirmuar nga vet presidenti i Asamblesë së kësaj force politike, Sabri Godo i cili ka deklaruar se mandatet e vetë PD-së, erdhën si rezultat i marrjes së votave të PR dhe si pasojë republikanët e drejtuar nga Fatmir Mediu arritën të marrin vetëm një deputet. Numrin e reduktuar të deputetëve të PR-së Godo e shikon si pasojë e dëmtimit që sistemi i ri zgjedhor i bëri partive të vogla. Sipas tij një nga kërkesat e ardhshme të Partisë Republikane në qeverisjen e djathtë do të ishte dhe ndryshimi i kodit zgjedhor në mënyrë që partitë e vogla të kishin më shumë hapësirë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›