E Shtunë, 31 Tetor 2026

PR, nismë edhe për shtëpitë pa leje trualli

• Në seancën e djeshme të Kuvendit ishte parashikuar edhe votimi i ndryshimeve ligjore “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”.Edhe këto ndryshime ishin paraqitur nga republikanët, të cilët kërkonin shtyrjen e afateve për paraqitjen e dokumenteve nga ana e ish-pronarëve. Por nismëtari i këtyre amendamenteve, republikani Madhi, propozoi në seancë një ndryshim tjetër në nenin 8 të ligjit “Për kthimin e kompensimit të pronës”. Madhi shprehet se, “kjo do t’i jepte mundësinë atyre personave që kanë shtëpinë me letra, por nuk gëzojnë tapinë e truallit, për të blerë tokën e tyre”. “Në rast të ndërtimeve mbi truall të bëra në përputhje me legjislacionin në fuqi, kur nuk është regjistruar pronësia e truallit, ai që ka në pronësi ndërtesën detyrohet të paguajë vlerën fillestare të truallit sipas çmimit të parashikuar në metodikën nga Kuvendi. Në zbatim të kësaj pike, pronari i ndërtimit të ligjshëm mbi truall lidh kontratën e shitblerjes së truallit me organin e autorizuar nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës”, thuhet në amendimin e paraqitur. Propozimi i dhënë nga Madhi u kontestua nga ana e socialistëve. Nënkryetari i grupit të PS-së, Braçe, u shpreh se “jemi kundër propozimit, pasi dyshojmë se mund të përfshijë ndërtimet në zonat turistike”. “Kjo çështje nuk mund të realizohet sipas procesit të legalizimit, nëse përfshihen histori si shitja e tokës brenda fshatrave turistikë, ne jemi kundër”, theksoi Braçe. Por Madhi thekson se, “kishte një keqkuptim nga ana e PS-së lidhur me shitblerjen e trojeve që janë ndërtuar banesat e ligjshme nuk kishte asnjë lidhje me ndërtimet në trojet turistike, duke marrë shkas nga kjo bisedë e tij, unë ndjeva përgjegjësinë për të folur me të (Braçen), pasi nuk është në mënyrë të mjaftueshme sqarimi”, theksoi Madhi.Amendamenti i PR-sëNeni 8, pikat 3, të ndryshohet si vijon” “3. Në rast të ndërtimeve mbi truall të bëra në përputhje me legjislacionin në fuqi, kur nuk është regjistruar pronësia e truallit, ai që ka në pronësi ndërtesën detyrohet të paguajë vlerën fillestare të truallit sipas çmimit të parashikuar në metodikën nga Kuvendi. Në zbatim të kësaj pike pronari i ndërtimit të ligjshëm mbi truall lidh kontratën e shit-blerjes së truallit me organin e autorizuar nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›